Autoritetet rajonale të KE-së: Qeveria dhe pushteti lokal të bashkëpunojnë
Këshilli i Europës kërkon nga qeveria që të bashkëpunojë me opozitën dhe pushtetin lokal, ndërkohë që kërkon nga Partia Socialiste që të mos bojkotojë zgjedhjet vendore. Këto mesazhe i janë dhënë politikës shqiptare nga Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Mikalef, i cili ka vizituar dje Shqipërinë, ku është takuar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, si dhe me kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Mikalef ka theksuar rëndësinë e dialogut mes qeverisë dhe pushtetit lokal, ndërkohë që nga ana tjetër ka theksuar se demokraci nuk është të bojkotosh një proces demokratik.
Dialogu
Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Mikalef, në takimin që ka zhvilluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ka vlerësuar rolin e moderatorit të kryetarit të shtetit, të cilit i ka shprehur rëndësinë e dialogut midis qeverisë dhe pushtetit lokal. “Pasi e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për pritjen, Presidenti i Përkohshëm të Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës vuri në dukje sukseset dhe transformimet pozitive të shënuara në vendin tonë, duke theksuar edhe nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Zoti Mekalef vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të kryetarit të shtetit përsa i përket zhvillimit demokratik dhe konsolidimit të institucioneve shqiptare, duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, - thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidentit të Republikës.
Mikalef zhvilloi gjatë ditës së djeshme edhe një takim me kryeministrin Berisha. Në takim, kryeministri Berisha shprehu edhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar autonominë e qeverisjes lokale, për t’i përkrahur ato financiarisht dhe me të gjitha mjetet, në mënyrë që të përmbushin misionin e tyre. Në këtë kontekst, kryeministri i bëri me dije zotit Mikalef, se gjatë mandatit qeverisës 2005-2009 granti për pushtetin lokal nga buxheti i shtetit u rrit tri herë.
Bojkoti
Mikalef, në një prononcim për mediat, ka folur gjithashtu edhe për bojkotin e zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës. Ai tha se nuk është demokraci bojkotimi i një procesi demokratik, ndërkohë që shtoi se Kongresi Vendor ka rënë dakord me qeverinë për të monitoruar zgjedhjet e 15 nëntorit, ku opozita do të mungojë për shkak të vendimit politik për të bojkotuar këto zgjedhje. “Mendoj se demokracia nuk është të bojkotosh atë që është proces demokratik. Gjëja e duhur në demokraci është dialogu. Siç e kam thënë edhe më parë, unë i inkurajoj partitë politike të hyjnë në dialog, por nuk është pritur për mirë. Nëse ka ndonjë bojkot të ndonjë procesi demokratik, ne kemi rënë dakord me qeverinë se do të ftohemi si kongres për te monitoruar zgjedhjet e ardhshme, jo sepse kemi ndonjë dyshim për procesin politik në këtë vend, por sepse duam të jemi këtu për të parë mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve. Mendoj se kur e krahasojmë Shqipërinë me vende të tjera evropiane. është bërë shumë përsa i përket regjistrimit të votuesve dhe listat e votuesve në kuptimin që sot kemi mjete elektronike dhe nëse aplikohet Shqipëria është një nga vendet që ka arritje të mëdha në një kohë kaq të shkurtër, kur bëhet fjalë për përmirësimin e identifikimit të votuesve. Por sërish mesazhi im është që zgjedhjet të mos bojkotohen. Nëse ka diçka që nuk shkon me zgjedhjet, opozita ka të drejtën dhe ne do të shohim nëse kjo e drejtë ekziston që ata të shkojnë në gjykatë dhe ta lënë atë të vendosë, sepse në një vend demokratik duhet të ushtrohet ligji dhe për Këshillin e Europës ushtrimi i ligjit është një princip themelor, një vlerë themelore”, - tha Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Mikalef.
3 Nentor 2009