Berisha: “Nuk do të ketë bllokim të buxheteve të pushtetit lokal”
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se bashkëpunimi midis PD-së dhe LSI-së, të cilat tashmë janë maxhoranca e re qeverisëse në nivelin lokal, nuk ka aspak për synim që të bllokojë buxhetin e pushtetit vendor. Berisha u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive dhe të komunave, të cilat janë në opozitë, që të ulen dhe të dialogojnë me qeverinë. Këto deklarata Berisha i ka bërë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, pas takimit që ai ka pasur me Presidentin e Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, Ian Mikalef. “Zgjedhjet e 28 qershorit kanë sjellë një realitetit të ri qendror dhe lokal. Ato kanë sjellë një koalicion të ri jo vetëm qendror, por edhe lokal. Në një sërë komunash dhe bashkish të vendit janë krijuar maxhoranca të reja si rezultat i koalicionit të Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por, cili është qëndrimi i kryeministrit dhe maxhorancës? Qëllimi i kryeministrit dhe i maxhorancës është që zgjedhja për krijimin e maxhorancat e reja të mos mendojmë se mund të përdoret për bllokimin e pushtetit vendor. Maxhorancën ta përdorim për një shkallë shumë më të lartë përgjegjësie ndaj qytetarit, për të mbushur sa më mirë kërkesat e tyre. Nga ana tjetër, një thirrje imja, po kaq miqësore, ndaj kryetarëve të bashkive dhe të komunave që kanë rënë në minorancë, është të kuptojnë se buxheti duhet të vendoset mbi bazën e një dialogu dhe kompromisi, mbi bazën e qeverisjes vendore, sepse ky është një rregull i demokracisë botërore, dhe nuk është vetëm i Shqipërisë. Është në interesin e tyre më të mirë që të ulen dhe të negociojnë për buxhetin që do të kalojnë në parlamentet vendore, të gjejnë kompromiset e mundshme dhe të vazhdojnë të qeverisin. Natyrisht, duhet të mbajnë parasysh se në ligjin themelor të çdo vendi dhe të çdo qeverie të lirë dhe demokratike, të qeverive vendore, është parlamenti autoriteti që miraton buxhetin. Është parlamenti i vendit dhe parlamentet vendore që kanë të drejtë të rihartojnë sipas vullnetit të tyre. Unë kam besim të plotë se këshillat e parlamenteve vendore, shumicat aktuale të krijuara në bashki dhe komuna të ndryshme, do ta përdorin pushtetin në shkallën më të lartë të përgjigjeve dhe në sensin e kompromisit. Unë kam besim se kryetarët e bashkive dhe të komunave do të dëshmojnë të njëjtin vullnet, në mënyrë që viti që vjen të jetë viti më i suksesshëm i buxhetit”, - tha Berisha.
3 Nentor 2009