E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, pronarët dhe investitori, kallëzim penal për dhunuesit e pronës

Mbërrin në Prokurori padia për Policinë dhe Inspektoratin e Ndërtimit. Bashkia e Tiranës zbardh dokumentet e pronësisë dhe lejen e ndërtimit

Vetëm pak ditë pas dhunimit të pronës në qendër të Tiranës nga drejtuesit e strukturave shtetërore, kanë reaguar njëherësh Bashkia e kryeqytetit, pronarët e tokës dhe investitori. Të gjitha palët kanë njoftuar dje zyrtarisht se i kanë drejtuar organit të akuzës një kallëzim, ku kërkohet ndjekje penale ndaj Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit, Policisë së Shtetit, asaj të Tiranës dhe Komisariatit Nr. 3. Të paditurit konsiderohen nga familja Kika, nga Bashkia e kryeqytetit dhe nga investitori si dëmtues të pronës në qendër të Tiranës. Deri para pak kohësh trualli që ndodhej në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit ka qenë një gropë, në pritje për të realizuar një projekt që ishte miratuar nga të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe atij qendror, por gjatë javës së kaluar ai është rrafshuar forcërisht nga fadromat e Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, të ndihmuar edhe nga prania e rreth 400 forcave të rendit. Përplasja mes Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Ndërtimit në njërën anë dhe pronarëve të truallit dhe Policisë Bashkiake në anën tjetër, u shënua me arrestimin e një inspektori të Bashkisë së kryeqytetit.
Kallëzimi
Ushtrimi i dhunës dhe grabitja e pronës private në qendër të Tiranës ka përfunduar në Prokurori. Vetë Bashkia e kryeqytetit, familja Kika dhe investitori i truallit për të cilin ka ndodhur konflikti i janë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, ku kanë kërkuar ndjekje penale për autorët që urdhëruan dhe prishën pronën private në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit. Konkretisht, në kallëzimin drejtuar Prokurorisë, kërkohet ndjekje për Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit, Policinë e Tiranës dhe Komisariatit Nr. 3, të cilët kanë cenuar dhe dëmtuar pronën e tyre. Ky kallëzim është bërë pasi fadromat e Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar, të ndihmuara nga rreth 400 forca policore, shembën muret rrethuese të pronës dhe mbuluan me dhè gropën që ndodhej në këtë zonë.
Deklarata
Në ndryshim nga deklaratat e Ministrisë së Transporteve, Bashkia e Tiranës doli sërish dje dhe sqaroi publikisht se toka është në pronësinë private. Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli, bëri publike të gjitha dokumentet që posedon ky institucion, sipas të cilave sheshi në qendër të Tiranës është pronë e Komunitetit Mysliman dhe e familjes Kika. Agolli publikoi gjithashtu edhe vendimin e KRRT-së, ku jepet leje ndërtimi për një objekt shumëfunksional. “Bashkia e Tiranës, në mënyrë të vazhdueshme do t’i përgjigjet baltës së politikës vetëm me të vërtetën mbështetur në prova dhe fakte. Ministria e Punëve Publike deklaron se prona është publike, por në të rezultojnë pronarë Komuniteti Mysliman dhe familja Kika”, - theksoi Agolli. Administratori i Bashkisë së Tiranës i bën thirrje Prokurorisë të hetojë ngjarjen, ndërsa deklaron se përgjigjja e pushtetit vendor do të jetë me fakte. “Bashkia e Tiranës i bën thirrje publikisht Prokurorisë të hetojë kallëzimin penal të bërë nga ana e saj për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata shtetarë që në shkelje të ligjit penguan Inspektoratin Urbanistik të kryejë detyrën e vet si dhe arrestuan inspektorin e lartë në krye të detyrës!” - bëri të ditur Agolli.
Dhunimi
Për tre net radhazi, gjatë fundjavës së kaluar, të gjitha strukturat e shtetit, të aktivizuara pa urdhër shkresor dhe pa bazë ligjore, tentuan të prishin tokën në qendër të kryeqytetit për ta kthyer në lulishte. Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 30 tetorit tensionet kanë arritur kulmin. Policia shoqëroi një punonjës të Policisë Bashkiake dhe është dashur ndërhyrja e deputetit të PS-së, Eduard Shalsi, ish-nënkryetar i Bashkisë, i cili ka kërkuar nga drejtori i Drejtorisë së Qarkut të Policisë së Tiranës që të lirojë policin bashkiak. Familja Kika ka deklaruar publikisht se po i cenohet prona private nga strukturat shtetërore dhe ka kërkuar ndihmën e Bashkisë së Tiranës. Në mbrojtje të saj ka dalë Policia Bashkiake, por një situatë e tillë ka sjellë konflikte mes forcave të Policisë së Rendit, të urdhëruara nga qeveria, dhe strukturave të Policisë Bashkiake.

Reagimi
Pronat, qeveria të respektojë vendimet e gjykatës

Qeveria dhe qytetarët duhet të respektojnë vendimet e gjykatës dhe t’i zgjidhin konfliktet në rrugë gjyqësore. Ky ka qenë komenti që ka bërë ish-politikani dhe konstitucionalisti (bashkëhartuesi i Kushtetutës) Sabri Godo, teksa ka komentuar rastet e përplasjes qeveri-Bashki dhe konfliktin me banorët e Orikumit. Në një prononcim për Vizion Plus, kryetari i nderit të Partisë Republikane ka thënë se konfliktet për pronat nuk do të përfundojnë asnjëherë nëse qeveria nuk e zgjidh përfundimisht këtë çështje. Zoti Godo pohon se kjo do të jetë e vështirë në kushtet kur Kushtetuta e vendit nuk përcakton se çfarë është prona private. Sipas tij, prona i takon atij që e ka të trashëguar, ose që e ka blerë me akt noterial. “Duhet të dimë mirë se do të kemi probleme të vështira më vonë. E vetmja gjë që mbetet është që të merren parasysh vendimet e gjykatave”, - ka thënë politikani i njohur. Ai ka shtuar se qeveria duhet të ketë shumë kujdes me këtë çështje, pasi në të kundër do të hasë në probleme të mëdha me ndërkombëtarët.

Rama, përfaqësuesit të KE-së: “Po cenohen vendorët”

Përplasja më e fundit mes Bashkisë dhe qeverisë për pronën private në qendër të Tiranës ka qenë pjesë e bisedimeve që zoti Edi Rama ka bërë me përfaqësuesin e Këshillit të Europës. Edi Rama akuzoi kryeministrin se po cenon hapur autonominë e Bashkisë. Duke marrë shkas edhe nga ndërhyrja e paligjshme e Ministrisë së Punëve Publike për kthimin në lulishte të një prone private, për të cilën Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi, Rama theksoi se Sali Berisha po shkel çdo ligj për interesat e familjes kryeministrore. Këtë shqetësim, kryebashkiaku Edi Rama ia ka bërë prezent Presidentit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Jan Mikalef. Gjatë një takimi 40-minutësh, Rama i ka treguar për ndërhyrjet e paligjshme dhe të vazhdueshme të qeverisë në kompetencat e Bashkisë. Një prej shqetësimeve kryesore ishte vendimi i qeverisë për heqjen e disa taksave vendore, siç ishte ajo e reklamave dhe taksa e infrastrukturës. Ndërsa shkelja më e fundit ka ndodhur në qendër të Tiranës. Në një sipërfaqe toke mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, pronë e familjes Kika dhe Komunitetit Mysliman, qeveria ka ndërhyrë me forcë për ta kthyer në lulishte. Ndërsa Bashkia e Tiranës, brenda të gjitha kompetencave, ka dhënë leje ndërtimi për ngritjen e një objekti në përputhje me planin francez për qendrën e Tiranës.

Shalsi: “Qendrën e votoi edhe PD-ja”

TIRANË – Dy ditë më parë reagoi edhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Eduard Shalsi, në lidhje me këtë çështje, i cili akuzoi zotin Berisha dhe pushtetin e familjes për interesa në trojet dhe objektet që ndërtohen në Tiranë. “Sheshi në qendër të kryeqytetit është organizuar me një konkurs ndërkombëtar dhe i është dhënë leje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, ku kanë votuar pro si përfaqësuesit e PS-së, ashtu edhe përfaqësuesit e PD-së”. Në deklaratën e dhënë ditën e diel për mediat ai akuzoi kryeministrin Berisha, duke theksuar se ai iu “është turrur pronave publike dhe private me një babëzi të paparë”. “Është e patolerueshme, e papranueshme, që këto gjëra të ndodhin në mes të ditës, në mes të Tiranës”, - tha Shalsi, i cili akuzoi kreun e qeverisë se “sa duket, nuk i mjafton së bijës dhe të birit të Sali Berishës, të cilët kërkojnë nga baca i tyre Sali nga një pronë përditë. Por ta harroj baca Sali se mund t’i bëjë pronat e popullit dhuratë për fëmijët e vet”, - deklaroi deputeti socialist. Ai përfundoi: “Këtu do të jemi!”

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›