E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelja flagrante, ja pesë lejet e qeverive dhe Bashkisë së Tiranës

Zbardhen të gjitha lejet e dhëna për ndërtim në pronën në qendër. Dokumentet që faktojnë pronësinë dhe lejen e ndërtimit në pronë

Prona private në qendër të Tiranës, e dhunuar dhe e grabitur nga qeveria para pak ditësh, i ka të gjitha aktet e pronësisë dhe lejet për ndërtim konform ligjit nga të gjitha institucionet dhe qeveritë që nga viti 1996.

Leja e parë i përket qeverisë së PD-së, drejtuar nga Aleksandër Meksi. Më parë është miratuar nga kryebashkiaku i PD-së, Albert Brojka. Kjo leje është konfirmuar nga kryetari i KRRTSH-së së Shqipërisë, kryeministri Bashkim Fino. Leja e dytë është nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, i drejtuar nga kryeministri Ilir Meta dhe kryeministri Fatos Nano. Leja e tretë është dhënë nga kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Mbi këto tri leje ka dalë një urdhër politik i artikuluar pa bazë ligjore nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dhe i ekzekutuar në mënyrë të kundërligjshme nga Inspektorati Ndërtimor Kombëtar. Kthimi i sheshit, i gatshëm për t’u investuar, ka rënë ndesh me të drejtën mbi pronësinë private të familjes Kika, ka uzurpuar të drejtat e pushtetit vendor, si dhe është shoqëruar me ushtrim dhune ndaj pronarëve dhe drejtuesve të kryeqytetit. Prishja e truallit, i cili është miratuar për ndërtim edhe nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të kryeqytetit dhe i parashikuar në projektin e përgatitur nga një studio ndërkombëtare për Planin Rregullues të Tiranës, nuk ka marrë parasysh asnjë prej vendimeve ligjore që kanë lëshuar institucionet e mëparshme apo të tanishme; aq më tepër, nuk është ndjekur rruga ligjore për ta çuar çështjen në gjykatë nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, apo Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit.
Leja e Bashkisë
Leja më e fundit që është dhënë për ndërtimin e një godite në truallin në qendër të Tiranës mban datën 27.11.2008. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës vendosi që të japë leje ndërtimi në pronën e Komunitetit Mysliman dhe të familjes Kika. Në të janë përcaktuar kriteret se si do të ndërtohet godina shumëfunksionale 24-katëshe, me gjatësi 85 metra. (Shih dokumentin.) Më datën 12.10.2008, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës ka dhënë vendimin për shesh ndërtimi pikërisht në këtë pronë. Dokumenti thotë se KRRT-ja e Tiranës vendosi “të miratojë projektin teknik sipas projekt-idesë fituese të konkursit ndërkombëtar për godinë polifunksionale (qendër tregtare, zyra, hotel) 85 metra, me pesë kate parkim dhe shërbime nën tokë, në kryqëzim të Rrugës së Kavajës me Rrugën e Durrësit”.
Leja e qeverisë
Trualli i parashikuar për t’u ndërtuar godina 24-katëshe në pronat e familjes Kika dhe të Komunitetit Mysliman ka marrë pagëzimin edhe nga qeveria. Me një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, që mban datën 27.04.2004, i firmosur nga kryeministri i asaj kohe, zoti Fatos Nano, është miratuar Studimi Urbanistik i Qendrës së Tiranës. Në këtë studim është parashikuar edhe ngritja e qendrës, e cila refuzohet nga Ministria e Transporteve sot. Vetëm dy javë më parë, konkretisht më datë 15.04.2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës ka miratuar Studimin Urbanistik të Qendrës së Tiranës “Tirana një kryeqytet europian”, i projektuar nga studioja franceze “Architecture Studio”.
Pronarët e truallit, por edhe investitori, kanë një sërë lejesh nga autoritetet qendrore, por edhe vendore në kryeqytet edhe para vitit 2001. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me vendimin e datës 21.05.2001, ka dhënë vendimin për lejen e ndërtimit për kompleksin në qendër të Tiranës, në kryqëzimin e Rrugës së Durrësit me Rrugën e Kavajës. Ky vendim mban firmën e zotit Ilir Meta, kryeministër asokohe, firmat e sekretarisë teknike të KRRTSH-së, konkretisht të zonjës Shpresa Leka, sekretare, si dhe të kryetarit Albert Çaçi.
Leja e qeverisë “Meksi”
Sikur të mos mjaftonte gjithë ky mal me dokumente dhe leje, edhe qeveria “Meksi” e viteve 1992-1996-1997, si dhe Bashkia, dy institucione të drejtuara nga Partia Demokratike, u kanë dhënë leje pronarëve dhe investitorëve për të ndërtuar në këtë shesh që sot refuzohet nga zoti Olldashi. Konkretisht, me Vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës Nr. 7, datë 19.03.1996, që mban firmën e kryebashkiakut, zotit Sali Kelmendi, është miratuar leja e ndërtimit për këtë truall. Vetëm një muaj më pas, konkretisht më 17.04.1996, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me Vendimin Nr. 33, ka miratuar shesh-ndërtimi dhe leje-ndërtimi për kompleks hotelier në qendër të Tiranës. Dokumenti mban firmën e kryetarit të KRRTSH-së, zotit Aleksandër Meksi dhe nënkryetarit, zotit Dashamir Shehi. Edhe një vit më vonë, konkretisht më 19.06.1997, qeveria e drejtuar nga zoti Bashkim Fino la në fuqi vendimin e paraardhësit të tij, me Vendimin Nr. 84, duke i hapur rrugën ngritjes së objektit në zemër të Tiranës.
Trualli i miratuar për ndërtim nga të gjitha qeveritë tashmë kundërshtohet nga qeveria “Berisha”, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor dhe duke vepruar në shkelje flagrante të ligjit dhe ndarjes së pushteteve.

LEJET E DHËNA NGA QEVERITË DHE BASHKIA

Me Vendimin Nr. 7, datë 19.03.1996, KRRT-ja e Tiranës, me kryetar zotin Sali Kelmendi, miratoi dhënien e sheshit të ndërtimit

Me Vendimin Nr. 33, datë 17.04.1996 të KRRTRSH-së, me kryetar zotin Aleksandër Meksi, miratohet sheshi dhe leja e ndërtimit

Me Vendimin Nr. 84, datë 19.06.1997, KRRTSH-ja, me kryetar zotin Bashkim Fino, lë në fuqi vendimin e KRRTSH-së së firmosur nga zoti Meksi

Me Vendimin Nr. 8, datë 21.05.2001, KRRTSH-ja me kryetar zotin Ilir Meta jep vendimin për leje ndërtimi në këtë zonë

Me shkresën nr. 3824, datë 10.09.2001, Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Rregullimit të Territorit në Ministrinë e PPTT, dërgon në KRRTSH studimin e miratuar dhe njofton edhe investitorin

Me Vendimin Nr. 224, datë 15.04.2004, KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës miraton studimin urbanistik për qendrën e Tiranës (Plani francez i Architecture Studio), ku parashikohet edhe projekti në fjalë

Me Vendimin Nr. 1, datë 27.04.2004, KRRT-ja e Shqipërisë, e drejtuar nga kryetari Fatos Nano, miraton studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Tiranës.

Me Vendimin Nr. 160, datë 12.10.2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, me kryetar zotin Edi Rama, miraton lejen për shesh ndërtimi në pronën e Komunitetit Mysliman dhe të familjes Kika

Me Vendimin Nr. 235, datë 27.11.2008, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, me kryetar zotin Edi Rama, miraton lejen e ndërtimit në këtë pronë, fazën e parë

Dokumentacioni për pronën në zonën ku do të bëhet ndërtimi

Sheshi për të cilin Ministria e Transporteve thotë se është tokë shtetërore ka pronarë privatë. Konkretisht, duke iu referuar akteve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në Tiranë, pronarë të ligjshëm janë familja Kika dhe Komuniteti Mysliman. Sipas Certifikatës për Vërtetim Pronësie me Nr. 056829, me Nr. Pasurie, 2194, me pasuri, truall, me sipërfaqe, 2024.0 m2, në Zonën Kadastrale NR. 83.80, është pronare familja Kika, dhe konkretisht, shtetasit: Feride Kika, Albert Kika, Ilir Kika, Xhume Kika, Qemal Kika, Rexhep Kika, Nazmi Kika, Flora Hysen Agolli, Nurjeta Brari, Dylbere Baxhaku dhe Ferhat Kika. (Për të gjithë këta ka dokumentacion të lëshuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë). Pjesa tjetër e truallit për ndërtim, është në pronësinë e Komunitetit Mysliman. Konkretisht, me Certifikatë për Vërtetim Pronësie Nr. 058828, Nr. Pasurie, 21338, sipërfaqe totale 1185 m2, në Zonën Kadasatrale 8380, pronar i truallit është Komuniteti Mysliman. Të gjitha këto dokumente hedhin poshtë pretendimet e ministrit të Transporteve, zotit Olldashi se kjo tokë është pronë shtetërore.

PRONARËT

1 – Komuniteti Mysliman
2- Familja Kika
Feride Kika
Albert Kika
Ilir Kika
Xhume Kika
Qemal Kika
Rexhep Kika
Nazmi Kika
Flora Hysen Agolli
Nurjeta Brari
Dylbere Baxhaku
Ferhat Kika

3 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›