E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoritetet serbe tentojnë të hyjnë në Kosovë, Thaçi: “Respektoni ligjet”



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje zyrtarëve serbë të respektojnë ligjet për hyrjen në territorin e Kosovës. “Këshilla ime më e mirë është që të mos vijnë zyrtarët serbë pa respektuar ligjet pasi as ne nuk po shkojmë në vendin e tyre. Kosova është shtet dhe ata që do të vijnë do të kthehen sërish mbrapsht”, - u shpreh kryeministri Thaçi pas kthimit të një tjetër delegacioni serb, i cili tentoi të hynte në Kosovë. Policia ndaloi dje dy automjete të këtij delegacioni në pikën kufitare mes Kosovës e Serbisë, në portën pesë, te vendi i quajtur “Dheu i bardhë”, në rajonin e Kamenicës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se delegacionit serb i është dhënë fletërefuzimi për shkak se nuk ka respektuar procedurat shtetërore për vizita zyrtare në Republikën e Kosovës. Në delegacionin serb ishte kryebashkiaku i Beogradit Dragan Gjillas dhe Mllagjan Gjorgjeviç, këshilltar i Presidentit të Serbisë Boris Tadiç.
Kjo vizitë cilësohet si një provokim i ri i zyrtarëve serbë për Republikën e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se delegacioni serb nuk i ka respektuar proceduarat shtetërore për vizita zyrtare, prandaj nuk u lejua të hynte në Kosovë.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›