E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, mbyllet sot zyrtarisht afati për Formularin A1 dhe A1-Z



Dita e sotme është afati i fundit i vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit për dorëzimin e Formularit A1 dhe A1-Z.
Maturantët, të cilët nuk kanë mundur ta plotësojnë ende Formularin A1 mund ta dorëzojnë atë deri brenda ditës së sotme. Burime në Ministrinë e Arsimit sqarojnë se drejtoritë arsimore nuk mund të pranojnë më formularë pas ditës së sotme, pasi Komisioni Shkollor i Maturës Shtetërore (KSHMSH) duhet të dorëzojë tabelën “T” për përmbledhjen e të dhënave nga Formularët A1, A1-Z në drejtoritë arsimore përkatëse ditën e nesërme. Pas depozitimit në drejtori, Formularët A1 dhe A1-Z do të dorëzohen zyrtarisht në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Sipas Rregullores së Maturës, formularët e plotësuar A1, A1-Z dërgohen zyrtarisht nga KSHMSH-ja e shkollës në KMSH-në e DAR-it dhe ZA-së (“KMSH” i DAR/ZA është Komisioni i Maturës Shtetërore pranë DAR-it ose ZA-së) brenda datës 25 mars, së bashku me tabelën e plotësuar “T” përmbledhëse të të dhënave të formularëve. Më pas, KMSH-të e DAR-ve dhe ZA-ve hartojnë mbi këtë bazë listat e plota me të dhënat e të gjithë kandidatëve, sipas modelit të dërguar nga AVA, dhe i dërgojnë ato zyrtarisht dhe në formë elektronike, të ndara sipas shkollave, në AVA, brenda datës 31 mars.

Ministria e Punës mbledh donatorët për realizimin e strategjive

Ministria e Punës ka kërkuar mbështetjen e donatorëve për realizimin e disa projekteve në punësim, mbrojtje sociale, emigracion, etj. Në një takim të organizuar dje, me përfaqësues të KE, BE, OKB, UNICEF, UNFPA, British Consil, Austria Corporation etj, të cilët kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin me asistencë teknike dhe financiare qeverinë shqiptare, zëvendësministri i Punës, Katriot Sulka, prezantoi strategjitë afatmesme në disa fusha, duke u përqendruar në objektivat e përcaktuara dhe rrugët e parashikuara për realizimin e tyre. Përfaqësuesit e dikasterit të punës prezantuan iniciativa për hartimin e një ligji integral për paaftësinë, duke kërkuar mbështetjen me asistencë teknike nga donatorët. Ata kërkuan dhe mbështetje për fazën e dytë të projektit të shërbimit të kujdestarisë, një shërbim i ri alternativ që mbështet fëmijët në vështirësi dhe nevojë dhe që aktualisht po pilotohet në qarkun e Tiranës dhe Shkodrës. Sulka kërkoi mbështetjen e donatorëve edhe për politikat e punësimit në Shqipëri. Ai informoi se për herë të parë dikasteri i punës po realizon një proces vlerësimi të programeve të nxitjes së punësimit, për të përcaktuar efektivitetin e tyre dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme për ta përmirësuar atë.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›