E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, mungojnë aparaturat për trajtimin e të sëmurëve me dializë

Rreth 400 persona në pritje për marrjen e mjekimit për kurimin e sëmundjes. Pacientët e hemodializës të pakënaqur me rimbursimet e ilaçeve

Emanuela Sako

Pacientët që duhet të marrin shërbimin e hemodializës në QSUT po përballen sërish me vështirësi të mëdha për trajtimin e sëmundjes. Në pavijonin e dializës mungojnë filtrat që bëjnë të mundur pastrimin dhe zëvendësimin e gjakut. Gjendja dhe numri i aparateve është bërë tashmë një problem i përhershëm, që i detyron pacientët të qëndrojnë në radhë për të marrë shërbimin. Megjithatë, për ta problemet nuk mbarojnë me aq. Ata ankohen se ndihma që u jep shteti për rimbursimin e barnave është e papërfillshme pasi pjesën më të madhe të mjekimeve ata e marrin me shpenzimet e veta. Numri i të sëmurëve nga veshkat po vjen duke u rritur dhe sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e terapisë zëvendësuese, ose dializës, pritet të rritet në masën 15 për qind. Të gjitha këto shqetësime, pacientët me veshka që trajtohen në hemodializë do t’i diskutojnë ditën e mërkurë në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.
Shtimi
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e dializës do të rritet në masën 15 për qind. Për të përballuar këtë rritje pritet që shërbimi i dializës të privatizohet, ndërsa është menduar që shteti dhe privati të jenë partnerë. Kjo bëhet për t’u ardhur në ndihmë të gjithë personave që vuajnë nga mosfunksionimi i veshkave. Aktualisht janë rreth 400 pacientë që kanë nevojë për terapi zëvendësuese dhe rreth 175 pacientë të rinj që shtohen çdo vit. Pacientët që janë në gjendje të rëndë duhet të marrin tri herë në javë shërbimin e dializës. Në rast të kundërt, ata rrezikojnë jetën.
Aparaturat
Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 39 aparatura hemodialize në shërbimin spitalor publik që kanë një shkallë shfrytëzimi 50 për qind. Specialistët shprehen se nevojat janë për më shumë aparatura. Në këto kushte është e nevojshme të shtohen të paktën edhe 12 aparatura shtesë që të plotësojnë nevojat e pacientëve aktualë. Dializa në mjekësi është ecuria e pastrimit të gjakut nga lëndët e dëmshme. Ajo përdoret për të mundësuar zhdukjen e uresë, acideve, kaliumit dhe mbeturinave të tjera metabolike (shkëmbyese) të përmbajtura me tepricë në gjak. Kjo bëhet në rastet kur ky punim nuk kryhet nga veshkat, përkatësisht nga mëlçia, për shkak të sëmundjes së rëndë ose sepse funksionimi i veshkave nuk është i mjaftueshëm.

Akademitë, kush nuk fiton, humbet edhe universitetin

Maturantët që do të konkurrojnë për të vijuar studimet vetëm në shkollat e larta akademike humbasin të drejtën e studimit në degë të tjera nëse nuk japin edhe provimet me zgjedhje. Për këtë, specialistët e Ministrisë së Arsimit sqarojnë se një kandidat që plotëson në Formularin A2 dhjetë preferenca për studimet e larta, ku preferencat e para janë për degët e akademive dhe më pas renditen si degë të tjera, historia, drejtësia e kështu me radhë, në rast se nuk përzgjidhen fitues pas konkursit special që do të zhvillojnë, nuk kanë të drejtë të përzgjidhen në degët e tjera të shënuara në formular, me përjashtim të atyre të profilit të akademisë. Sipas specialistëve të MASH-it, për ta gëzuar këtë të drejtë, maturantët që duan të konkurrojnë në degët e akademive duhet të japin edhe provimet me zgjedhje, duke i shtuar kështu më shumë mundësi vetes për t’u pranuar në një nga degët e kërkuara për ndjekjen e studimeve të larta. Kjo do të thotë se një maturant që ka dëshirë të ndjekë studimet e larta në shkollat akademike ka edhe mundësinë që të japë provimet me zgjedhje për të gëzuar të drejtën e aplikimit për në universitet për degët e tjera jashtë profilit të akademisë.

24 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›