E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, programi CARDS financon 2.5 milionë euro



Programi CARDS i Bashkimit Evropian po financon 2.5 milionë euro, në mbështetje të projektit të ri për ngritjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Fondi i dhënë do të përdoret për ngritjen e këtij autoriteti si dhe për përqasjen e legjislacionit shqiptar me atë evropian. Përfaqësues i këtij programi në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Grigor Gjeçi, ka shpjeguar dje se fondi dhënë nga Programi CARDS do të përdoret gjatë këtij viti për krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, si dhe për afrimin e legjislacionit sipas standardeve të BE-së dhe ngritjes të infrastrukturës dhe trajnim të kapaciteteve njerëzore në këtë fushë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që po ngrihet për herë të parë në vendin tonë, është një institucion i ri, i besueshëm, sipas standardeve evropiane për kontrollin dhe cilësinë e produkteve ushqimore. Siguria ushqimore është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë, ndaj dhe po punohet intensivisht me të gjitha strukturat përkatëse, në mënyrë që puna e inspektorëve të ushqimit të njohë një ngritje të re përmes këtij autoriteti. Kjo strukturë e re parashikon ngritjen për herë të parë të grupit ndërdikasterial me përfaqësues e specialistë nga të gjitha ministritë e linjës, me qëllim ruajtjen dhe kontrollin e tregut për cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Kjo strukturë do të funksionojë sipas legjislacionit ndërkombëtar dhe në përputhje me direktivat e MSA-s, për sigurinë ushqimore. Vënia në funksionim e AKU-s parashikon rritjen e cilësisë dhe sigurisë ushqimore në vend për të gjitha llojet e produkteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›