E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësimi elektoral, si përparësi e Berishës



Nga Nebil Çika

Lista elektorale e PD-së, e paraqitur publikisht nga z. Berisha, i ka kaluar dukshëm parashikimet e analistëve dhe hamendësinë e opinionit publik. Tani, pas publikimit askush nuk ka dyshim se kjo është një liste vërtet elitare, cilësia e së cilës përbën pa dyshim një përparësi të dukshme të PD-së ndaj kundërshtarëve të saj politikë. Duket se ideatori i saj, z. Berisha, është përpjekur t’i japë PD-së, por edhe Shqipërisë një përfaqësim elektoral të denjë me stadin e zhvillimit të saj aktual. Natyrshëm një Shqipëri anëtare e NATO-s dhe aplikante për kandidate e BE-së detyron ndryshime të denja edhe në përfaqësimin politik, në mënyrë të veçantë në atë elektoral, njëherazi edhe parlamentar. Ndryshimet cilësore të trupës elektorale të PD-së nuk duket se synojnë vetëm fitoren në zgjedhje, por edhe rritjen e nivelit të përfaqësimit parlamentar dhe qeverisjes së ardhshme, si e vetmja rrugë për t’iu përgjigjur trendit të zhvillimit dhe stadit të sfidave të tjera të integrimit euroatlantik. Nga një vështrim i shpejtë duket qartë se standardet që zoti Berisha ka aplikuar si kritere të përzgjedhjes së përfaqësuesve elektoralë janë tërësisht shprehje e filozofisë politike, por edhe e përfaqësimit shoqëror që synon partia kryesore e së djathtës shqiptare. Ajo që spikat më shumë në këtë liste është pastërtia morale e kandidatëve për deputetë, një kriter që më shumë se nga rregullat politike, është përcaktuar nga raporti personal i z. Berisha me moralin më shumë se politik të vartësve apo më mirë të themi, bashkëpunëtorëve të tij, gjë që e ka dëshmuar edhe gjatë këtij mandati që po përfundon. Ky nivel përfaqësimi elektoral i paraprin edhe projektit qeverisës dhe reformave që z. Berisha ka planifikuar të kryejë në mandatin e tij të dytë qeverisës. Ajo që u evidentua menjëherë pas shpalljes së listës ishte kujdesi i Berishës për të shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi të grupit të ligjvënësve të ardhshëm të PD-së, me ligjin e lustracionin që duket se do të jetë një përparësi e qeverisjes së re. Një standard i ngjashëm duket se është aplikuar edhe me të përfolurit për afera korruptive apo lidhje të dyshimta. Me pak fjalë, grupi i ri parlamentar është kaluar paraprakisht në filtrat e një katarsisi të heshtur nga ana e Berishës. Përfaqësimi politik, shoqëror, profesional dhe krahinor përbën një tjetër vlerë të trupës elektorale të PD-së, efektet e së cilës pritet të jenë përcaktuese në rezultatin e zgjedhjeve të qershorit. Ky standard i aplikuar me përzgjedhjet e trupës elektorale përbën automatikisht edhe një standard të ri të performancës politike e njerëzore të PD-së. Në një proces gradual që ka nisur me KOP-in në 2005-ën ka vazhduar gjatë qeverisjes pe prurjet e reja në administratë dhe është kristalizuar në listën e saposhpallur elektorale. PD po formatohet gjithnjë e më shumë në përputhje me filozofinë, interesat politike që përfaqëson, si dhe me standardet e organizatave politike ndërkombëtare ku ajo aderon dhe simotrave të saj në vendet e aleancës euroatlantike.

Pa përmendur emra të veçantë, mund të thuhet se kjo trupë elektorale është e aftë ta përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet në çdo instancë ndërkombëtare që aderojmë apo aspirojmë të aderojmë. Besoj se do të jetë e vështirë edhe për opozitën më destruktive politiko-mediatike të kontestojë emrat që zoti Berisha i ka afruar si alternativë përfaqësimi elektoratit shqiptar. Por jo vetëm kaq. Kjo trupë elektorale pritet të përbëjë një përparësi të dukshme nga kundërshtarët politikë, përfaqësimi i të cilëve ka ende elementë përcaktues të trashëgimisë komuniste. Besoj se personalitetet e spikatura politike, profesionale e morale që z. Berisha ka përzgjedhur për përfaqësimin parlamentar dhe qeverisjen e tij të ardhshme, e bëjnë dukshëm diferencën me ish-ministrat e dhe zyrtarët e diktaturës, pinjollëve politikë e gjenetikë të saj, qokave korruptive apo anonimëve që dominojnë listat e opozitës se majtë. Mendoj se kjo diference është e evidentueshme dhe e rëndësishme edhe për vlerësimin edhe raportet me partnerët tanë euroatlantikë, vëmendja e të cilëve ndaj zhvillimeve dhe sidomos standardit të përfaqësimit politik e elektoral shihet me sy tjetër tani, pas anëtarësimit në NATO dhe aplikimit për në BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›