E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet konferenca e parë e infrastrukturës së cilësisë

19/05/2009  Operatorët ekonomikë

Projektet për rritjen e cilësisë, si dhe problemet që shqetësojnë grupet e operatorëve ekonomikë, kërkuesve shkencorë dhe rregullatorëve ligjorë, do të jenë në qendër të Konferencës së I-rë të Infrastrukturës së Cilësisë. Sipas burimeve nga Drejtoria e Metrologjisë, Drejtoria e Akreditimit dhe Drejtoria e Standardizimit në Ministrinë e Ekonomisë, qëllimi i kësaj konference është krijimi i një forumi, ku të gjithë këta aktorë të shkëmbejnë arritjet dhe shqetësimet e tyre, si dhe të krijojnë lidhjet e domosdoshme për projekte të suksesshme e një zhvillim të qëndrueshëm të infrastrukturës së cilësisë në Shqipëri. Sipas burimeve, në konferencë do të marrin pjesë specialistë dhe përfaqësues nga institucione të rëndësishme nga vendet e rajonit. "Një nga seksionet e konferencës është parashikuar të ketë të gjitha atributet e një konference shkencore për të ndihmuar kështu edhe në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushat respektive”, - theksuan burimet. Ndër temat që do të trajtohen janë menaxhimi i cilësisë koncepte, principe, programe dhe filozofitë mbi to, cilësia e jetës, sistemet e integruara të menaxhimit, standardet dhe cilësia në organizata, standardet dhe cilësia e siguria e produkteve, proceseve e shërbimeve, standardet dhe procedurat e vlerësimit të konformitetit, matjet, kontrolli dhe cilësia në prodhim, krahasimet ndërlaboratorike dhe vlefshmëria e metodës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›