E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurencës nis hetimin për tregun e gazit

TIRANE- Autoriteti i Konkurencës nis hetimin për tregun e gazit. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë të ditur se hetimi do të ëprqëndrohet tek hetimi i gazit të lëngshëm me qëllim evidentimin e kufizimeve të mundshme të konkurencës.
Autoriteti i konkurencës administroi dy formularë ankese nga ndërmarrjet që zhvillojnë veprimtarinë në tregun e import-eksportit të gazit si dhe korrespondencën mes ndërmarrjeve importuese dhe koncensionarëve. Gjithashtu Ministria e Ekonomisë Tregëtisë dhe Energjetikës ka kërkuar bashkëpunimin e autoritetit të konkurencës lidhur me shqyrtimin e ankesës nëse është kufizuar konkurrenca e lirë dhe efektive në tregun e gazit të lëngshëm.

Nga monitorimi rezultoi se ndërmarrjet ankimuese kërkojnë ofrimin e shërbimit në të dy portet duke pretenduar se kompanitë që zotërojnë koncesionet refuzojnë të ofrojnë shërbimin e shkarkim –depozitimit të gazit të lëngshëm, që në bazë të ligjit për mbrojtjen e konkurencës mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese.
Për këtë arsye, Komisioni i konkurencës nisi procedurat për hapjen e hetimit paraprak në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm.
Gjatë vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurencës kreu hetimin mbi tregun e karburanteve ku konstatoi shkelje të shumta.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›