Autoriteti i Konkurrencës pa kompetenca për të kontrolluar tregun ajror
Autoriteti Konkurrencës, që është institucioni i posaçëm për të kontrolluar zbatimin e rregullave të konkurrencës dhe respektimin e tyre, duket se është inekzistent në Shqipëri kur bëhet fjalë për kompanitë e udhëtimeve. Zyrtarë të Autoritetit të Konkurrencës, të pyetur nga gazeta, bënë të ditur se, “ky institucion nuk është në gjendje të hetojë shkeljen e konkurrencës në udhëtimet ndërkombëtare, për shkak se ky aktivitet kryhet jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa vendimet e AK-së kanë vlerë ligjore vetëm brenda territorit shqiptar”. Kjo e bën situatën të pashpresë, sepse teorikisht, një shkelje të tillë konkurrence duhet ta shqyrtojë Autoriteti Europian i Konkurrencës, i cili nuk vepron dot, gjithashtu, për shkak se Shqipëria nuk është pjesë e BE-së. Në këtë mënyrë është mjaft e vështirë që për udhëtarët shqiptarë që duan të udhëtojnë jashtë vendit, por dhe për emigrantët tanë që shpesh kërkojnë të vijnë në atdhe, të zgjidhet diçka. Shpresat për thyerjen e monopoleve mbeten ende të vakëta edhe për aq kohë sa autoritet shqiptare të transportit dhe ato që merren me kontrollin e rregullave të konkurrencës, nuk do të bashkëpunojnë me autoritet homologe të huaja, për ta organizuar më mirë këtë treg. Shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë më shumë se të tjerët, për më tepër kur tani hapësirat ajrore dhe detare janë hapur dhe kanë bërë të përgjysmohen kostot e transportit.
Fluturimet ajrore shënojnë rekord pasagjerësh në Rinas
Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri shënoi më shumë se 1 milion klientë gjatë vitit të kaluar. Xhiroja totale vlerësohet të jetë me mbi 300 milionë euro në vit dhe këtë verë Shqipëria pritet të ketë rritje të flukseve të udhëtimeve për qëllime turistike. Shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë shtetit janë rritur me ritme të mëdha vitet e fundit ku sipas BSH-së, vetëm në vitin 2007 ato arritën në rreth 923 milionë euro. Këtij fenomeni po i paraprin shtimi i operatorëve që do të realizojnë fluturime nga Aeroporti i Rinasit. Momentalisht, në vendin tonë operojnë 16 kompani ajrore me 31 destinacione të ndryshme fluturimi, ndër të cilat një kompani ajrore vetëm në transport mallrash. Në fund të muajit maj, kompania ajrore greke "Aegean Airlines" pritet të nisë fluturimet nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit. Drejtues të politikave të transportit ajror pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, thanë se në prag të sezonit veror turistik pritet një rritje e numrit të fluturimeve të avionëve nga Aeroporti i Rinasit.
“Vodafone Albania” prezanton 7 projekte për fëmijët në nevojë
Fondacioni "Vodafone Albania" do të financojë 31.370.907 lekë për 7 projektet fituese të organizatave të ndryshme joqeveritare, me impakt social në ndihmë të komuniteteve në nevojë, zbatimi i të cilave do të nisë në qershor të këtij viti. Gjatë një konference për shtyp, të organizuar dje, Kryetari i Bordit Drejtues të Fondacionit, Thomas Papaspyrou, u shpreh se "këtë vit, projektet janë shtrirë në disa rrethe, nga veriu në jug të vendit, duke përfshirë Kukësin, Gjirokastrën, Lezhën, Tiranën dhe qytete të tjera". Shtatë projektet që do të përfitojnë financim janë: “Hap një Dritare”, projekt i Shoqatës Kombëtare të të Verbërve, që do të zbatohet në 5 rrethe të vendit dhe do të ndihmojë në edukimin e këtij komuniteti; “Shqipëria Lexon”, projekt i hartuar nga UNICEF për promovimin e leximit në zonat rurale, “Kinostudio”, projekt i Shërbimit Social, që synon të ofrojë qëndra sociale për fëmijët e varfër, projekti “Asistencë në zonat rurale të Kukësit”, projekti nga Oxfam “Mundësi punësimi në zonën e Zadrimës", me objekt planifikimin familjar dhe parandalimin e abuzimeve, si dhe programi për trajtimin e viktimave të trafikut njerëzor në qendrat rehabilituese, i implementuar nga Qendra Komunitare në Gjirokastër.
9 Maj 2008