Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Problemet që duhet të zgjidhen për zgjedhjet
Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaron se në Shqipëri ka ende shumë punë për tu bërë për reformën zgjedhore. Në raportin e publikuar për vitin 2007, Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson mungesën e rezultateve në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ndërkohë që renditi disa probleme, për të cilat është shumë e rëndësishme zgjidhja e tyre. “Viti 2007 u mbyll pa asnjë rezultat konkret nga puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Problemet që duhen zgjidhur janë të shumta, por më të rëndësishme konsiderohen pajisja e shtetasve me karta identiteti, krijimi i regjistrit themeltar të shtetasve i kompjuterizuar, duke patur parasysh edhe sistemin e adresave”, thuhet në Raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Kjo organizatë thekson gjithashtu se Parlamenti duhet të zgjidhë nëse komisionet zgjedhore duhet të përbëhen nga partitë politike, apo ato duhet të përbëhen nga profesionistë-teknokratë.
9 Maj 2008