E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm, vaji i lulediellit nga Greqia me përmbajtje dioksine



Mijëra tonë vaj luledielli i përzierë me vaj lubrifikantesh për makinat është bllokuar nga autoritetet greke të mbrojtjes së konsumatorit, ndërsa mësohet se një sasi e këtij vaji është importuar në Shqipëri. Këtë gjë e kanë shkruar dje mediat greke, të cilat nxituan që të jepnin alarmin për popullatën dhe konsumatorët në vendin e tyre. Ministria greke e Bujqësisë ka bllokuar shpërndarjen e vajit të rrezikshëm në tregjet e këtij vendi dhe shpjegon se në përbërjen e tij ka përqindje tepër të lartë të dioksinave pasi ka rezultuar se është përzier në sasi të mëdha me vaj lubrifikant automjetesh. Në listën e 16 kompanive tregtare që kanë shpërndarë këtë vaj në treg dhe që ishte publikuar dje në gazetën “Ethnos”, ndodhet edhe emri i kompanisë shqiptare “Dessina Ballkan” nga Korça. Gjithashtu mësohet se nga autoritetet shqiptare janë kërkuar të dhëna në doganat greke për sasitë e vajit që ka tregtuar kompania “Dessina Ballkan” drejt tregjeve shqiptare. Sasia e vajit prej gati 3000 tonësh ka prejardhje nga Ukraina dhe e kanë sjellë në Greqi dy shoqëri greke me qëllim që të rafinohej dhe të shpërndahej më pas në treg. Nga kjo sasi 2.132 tonë janë shpërndarë deri tani dhe për fat të mirë 1.182 tonë vaj luledielli janë bllokuar, ndërsa kërkohen se ku kanë shkuar 950 ton të tjera. Kanë qenë zviceranët të cilët kanë dhënë të parët alarmin pas analizave të bëra dhe më pas janë ushtruar kontrolle përkatëse në depot e shoqërive që importuan vajin e rrezikshëm nga Zvicra në qytetin e Vollosoit. Siç dihet, vaji lubrifikant është një vaj me përbërje kimike të ngjashme me vajin e lulediellit që përdoret vetëm për motorët e makinave. Sipas autoriteteve greke, vaji është toksik dhe me përmbajte kanceroze, që mund të shkaktojë helmimin e njeriut, madje edhe vdekjen e tij. Tashmë organet greke kanë nisur verifikimet e duhura ndaj 16 kompanive tregtare që kanë shpërndarë këtë vaj, të cilat kanë pikat e tyre në Athinë, Larisa, Selanik, Veria dhe Korinth. Greqia nuk është i vetmi vend ku kanë mbërritur sasi të tilla vaji të përzierë, pasi sipas mediave greke ky vaj është shpërndarë edhe në tregjet e Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës dhe Anglisë.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›