Kongresi i PDK-së rizgjedh në krye Nard Ndokën, detajohen objektivat
Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokristiane zgjodhi ditën e djeshme me shumicë votash kryetarin e saj të ardhshëm për 4 vitet në vijim, i cili do të jetë kryetari aktual, Nard Ndoka. Gjatë ditës së djeshme Kongresi i PDK-së ka miratuar edhe vendimet e Këshillit Kombëtar të pak ditëve më parë, që përjashton nga kabineti qeveritar dy zëvendësministrat që përfaqësojnë PDK-në në qeveri, Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati. Kryetari i zgjedhur Nard Ndoka, gjatë fjalës së tij, u shpreh i bindur se PDK-ja ka dalë e fituar pas këtij kongresi. Sipas tij, PDK-ja tashmë është një forcë e konsoliduar, e cila nuk mund të përdoret nga elementë pa identitet në politikën shqiptare. Ndoka sulmoi edhe kundërshtarët e tij dhe e cilësoi kongresin e tyre të mbajtur pak ditë më parë si farsë. “Ne të gjithë jemi dëshmitarë të disa zhvillimeve të papritura, të një fushate mediatike denigruese të ndërmarrë nga individë dhe grupe të caktuara politike kundër PDK-së, vendit dhe rolit të saj politik. Gjatë tranzicionit jemi mësuar me raste të shumta të sulmeve politike ndaj një partie të caktuar, por rrallë ka ndodhur që këto sulme të kenë qenë të drejtuara në vetë identitetin politik, siglën apo aktivitetin politik të një partie. Pjesë e kësaj fushate, fatkeqësisht, u bënë segmente politike të maxhorancës, për të cilat një PDK e fortë, konkurruese dhe me rritje të vazhdueshme elektorale përbën një rrezik të karrierës dhe ambicieve të tyre krejtësisht personale. Një marrëdhënie koalicioni bashkëpunimi bazohet mbi votën, programin dhe mirëbesimin”, - tha Ndoka. Kongresi i PDK-së përcaktoi edhe objektivat e kësaj force politike për të ardhmen në një moment kur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen pas një viti e gjysmë. Ndoka tha se PDK-ja do të rrisë elektoratin e saj me 3 herë më shumë, për t’u kthyer forca e tretë politike në vend dhe një alternativë e re e djathtë në Shqipëri, alternativa kristiandemokrate perëndimore. “Me krenari e deklaroj sot përpara jush se ka marrë fund përgjithmonë ajo kohë kur Partisë Demokristiane ia emëronin kryetarët faktorë politikë jashtë saj, duke e kontrolluar atë herë majtas e herë djathtas dhe duke e mbajtur vazhdimisht në periferi të politikës”, - tha Ndoka.
E. Kapri
9 Maj 2008