E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoriteti i Konkurrencës zyrtarizon shitjen e ARMO-s

Kompania e re do të jetë e monitoruar ngushtë nga shteti, për të shmangur krijimin e monopoleve

TIRANË - Autoriteti i Konkurrencës miratoi administrimin e mazhorancës së aksioneve te ARMO-s nga Kompania AMRA OIL sh.a. Në mbledhjen e zhvilluar dje, ky autoritet i bëri të mundur kompanisë në fjalë, kontrollin e drejtpërdrejtë të ARMO-s, duke i legjitimuar 85% të aksioneve të përfituara sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Sipas këtij transaksioni, shoqëria ARMO Sh.a, do kontrollohet nga aksioneri maxhoritar AMRA Sh.a, zotërues i 85% të kapitalit aksioner me të drejtë vote dhe nga aksioneri METE, i cili do të jetë zotërues i vetëm 15% të aksioneve. ARMO, momentalisht, është e vetmja ndërmarrje në tregun shqiptar për përpunimin e naftës dhe nënprodukteve të saj si: solar, mazut, koks, bitum i lëngshëm etj., të cilat nuk tregtohen nga shoqëritë e tjera që veprojnë në këtë fushë. Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se, sjellja e kësaj ndërmarrjeje, do të jetë vazhdimisht e monitoruar, pasi kompania në fjalë zotëron pozitë dominuese në tregjet përkatëse të këtyre produkteve dhe është evident rreziku i monopolit. Ky autoritet, megjithëse siguron se, mes kompanive në fjalë nuk ka tregje të prekura në mënyrë direkte, pasi “AMRA” nuk ishte e pranishme në tregun vendas para se të blinte 85 % të aksioneve të ARMO-s, nuk bën me dije se çfarë ndikimi mund të ketë në ekuilibrat e tregut zotërimi i një kompanie karburantesh, operuese në tregun vendas nga një prej aksionerëve të AMRA sh.a. Nga analizat e bëra deri tani rezulton se ekziston një shkallë e lartë përqendrimi në tregun e hidrokarbureve, pas shitjes së ARMO-s tek kompania në fjalë, por gjithsesi ajo siguron se tregu mbetet mesatarisht i përqendruar dhe me konkurrentë të tjerë të fortë, me pjesë të konsiderueshme të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›