Fazlliç, mocioni me debat brenda 30 ditëve
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha, i është shmangur dje ballafaqimit në një debat me opozitën, për çështjen “Damir Fazlliç”. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga depozitimi i kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për një mocion me debat me të për lidhjet me skandalin “Fazlliç”, kryeministri, i pranishëm në seancën plenare, ka evituar çdo koment për këtë çështje. Akuzat e ngritura nga deputetët e majtë, për lidhjet e tij me aferat e kryera nga Damir Fazlliç, shefi i ekzekutivit i ka kaluar në heshtje, duke zhvendosur debatin në një sërë çështjesh të tjera, duke sjellë në këtë mënyrë dhe reagimin e ashpër të opozitës, e cila kërkoi me ngulm fiksimin e një date për zhvillimin e seancës së mocionit.
Opozita
Opozita ka rikërkuar dje me forcë thirrjen e kryeministrit Sali Berisha në një seancë debati për çështjen “Fazlliç”. Grupi parlamentar i PS-së, ashtu siç kishte vendosur edhe në mbledhjen e tij të mesditës, ka kërkuar gjatë seancës së djeshme plenare, përcaktimin e një date të saktë për zhvillimin e mocionit me debat me kryeministrin. “U bë tre javë që, Grupi Parlamentar Socialist, ka bërë kërkesë për mocion me debat me Kryeministrin, për sa i takon lidhjeve me Fazlliçin dhe raportet e tij me institucionet. Ne i kërkojmë Kryeministrit një datë në lidhje me këtë mocion, pra të vijë në parlament, duke e respektuar këtë institucion, për të raportuar për lidhjet e qeverisë që ai drejton me Fazlliçin, por edhe për raportet dhe presionet e krijuara nga qeveria me institucionet e pavarura”, - tha kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, menjëherë pas mbledhjes së grupit. Ndërkohë që, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Erion Braçe, i cili duket folur në emër të grupit të tij parlamentar, ka kërkuar nga kryeparlamentarja Topalli një përgjigje për këtë kërkesë. Ai ka vënë në dukje se, është në detyrimin dhe moralin e kryeministrit paraqitja në këtë seancë, për të treguar qëndrimin e tij, lidhur me këtë histori. “Berisha e ka pranuar se e ka për nder që e ka mik këtë sekser serbo-boshnjak. Ai me këtë tregoi se ka marrë përgjegjësi për këtë çështje dhe prandaj duhet të vijë këtu dhe të japë llogari“, - tha Braçe, duke risjellë edhe një herë në vëmendje të Kuvendit dhe opinionit publik dyshimet që rëndojnë mbi kryeministrin Berisha.
Topalli
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës, për zvarritje të procedurave për mbajtjen e mocionit. Topalli ka shpjeguar se, kërkesa e grupit socialist, është pranuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhe i është dërguar Këshillit të Ministrave. Pavarësisht këtyre detyrimeve proceduriale, Topalli ka siguruar deputetët e opozitës se, mocioni për debat me kryeministrin, do të zhvillohet brenda 30 ditëve, ashtu siç e përcakton edhe rregullorja e Kuvendit. “Kërkesa është depozituar më tetë tetor dhe, brenda tri ditëve, është mbledhur konferenca e kryetarëve. Kryetari i qeverisë ka ardhur këtu çdo ditë dhe ka folur për këtë çështje. Kërkesa ka shkuar në qeveri dhe ne presim përgjigje. Por, ju garantoj se, debati, do të bëhet brenda 30 ditëve. Ky është ligji dhe mbi të nuk ka asnjë person, as gjykatë dhe as prokurori”, - tha Topalli.