Rikthehet konsensusi, Beçaj votohet kryetare e Gjykatës së Lartë
TIRANË - Nga sot e tutje, Kryetare e Gjykatës së Lartë, do të jetë Shpresa Beçaj. Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur kompromis për kandidaturën e Beçajt, e cila dje mori votat e 122 deputetëve, pro dhe asnjë kundër. Edhe pse votimi ishte i fshehtë, kandidatura e Beçajt, e propozuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, ka marrë numrin maksimal të votave. Miratimi me konsensus i kësaj kandidature, përmbyll në fakt edhe odisenë e përplasjeve, që u zhvilluan jo pak mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe Kuvendit, për emërimin e gjashtë antarëve të kësaj Gjykate. Pak kohë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, emëroi në krye të Gjykatës së Lartë, gjyqtaren Shpresa Beçaj, e cila do të zëvendësojë në këtë post gjyqtarin Thimio Kondi, mandati i të cilit kishte përfunduar pak muaj më parë. Kohë më parë, gjyqtarja Beçaj, është dekoruar nga Presidenti Topi, me urdhrin "Naim Frashëri i Artë" me motivacionin: "Për aftësi të larta profesionale e merita të veçanta në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe personalitetin e treguar si një gjyqtare e suksesshme". Ajo është emëruar në vitin 2004 anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, ku ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", ndërsa po në Mars të 2004, me dekretin nr. 4156, të Presidentit të atëhershëm të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, gjyqtarja Beçaj është emëruar Anëtare e Gjykatës së Lartë. Shpresa Beçaj ka lindur në Kukës në vitin 1961. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar kryesekretare në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Gramsh, ku në vitin 1985, është emëruar këshilltare ligjore, po në Gjykatën e Gramshit. Duke vazhduar më pas me emërimin si gjyqtare, po në këtë gjykatë, në vitin 1987, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Në këtë vit ajo emërohet gjyqtare në Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë. Pas katër vite punë në këtë gjykatë, ajo është emëruar me detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit në kryeqytet, deri në vitin 2004 kur, me propozim të Presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu, është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Lartë.