E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Gramsh, thirrje për bashkim

Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se duhet një bashkim përtej kufijve partiakë

Gramsh - Partia Socialiste ka nisur etapën e fundit të “Dialogut me Shqipërinë” për Bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kryetari i Partisë Socialiste ka udhëtuar drejt komunës Kukur të Gramshit, ku ka bashkëbiseduar me banorë të saj për vështirësitë e jetesës me punën në bujqësi. “Kjo komunë është tërësisht e izoluar për shkak të mungesës së infrastrukturës edhe nga qytetet përreth, kështu që, tregtimi i prodhimit bujqësor, bëhet edhe më i pamundur”, - u shprehën banorët e Kukurit. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar gjatë takimit të zhvilluar se, i duhet dhënë jetë një bashkimi të ri, përtej kufijve të partive. “Sepse, përpara se të jemi socialistë dhe demokratë, jemi shqiptare e shqiptarë, jemi qytetarë e qytetare, të rinj, gra e burra, të moshuar që meritojmë të jetojmë me dinjitet në qytetet e fshat”, - shtoi Rama. Pavarësisht vështirësive, kryetari i PS-së tha se duhet gjetur forca për t’i kapërcyer së bashku. “Unë besoj shumë te një bashkim, jo për interesa politikanësh, apo grupe politike, por për interesat e familjeve shqiptare, për interesat e gjithë atyre që, në Shqipëri, duan të jetojnë me punë të ndershme dhe kërkojnë të krijojnë mirëqenie, qetësi, si dhe garanci për të ardhmen për fëmijët e tyre. Pra, në emër të fëmijëve tanë duhet të bashkohemi të gjithë bashkë, të kapërcejmë kufijtë e partive, t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, këtu ku jeta është kudo e njëjtë e vështirë, si për socialistët dhe demokratët e thjeshtë. Këtu në Kukur, ku socialistë e demokratë vuajnë po njësoj mungesën e punës, mbështetjen e shtetit, mungesën e infrastrukturës, e rrugës që është e tmerrshme për t’u lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›