E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Isha juristi, jo arkitekti i Gërdecit

Ministri komenton akuzat për Gërdecin, ligjin për prokurorinë dhe marrëdhëniet e tensionuara me ndërkombëtarët

TIRANË - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka pranuar dje, në mënyrë të tërthortë, lidhjet me Gërdecin dhe hartimin e ligjeve që lejuan shitjen e armëve, që më pas solli tragjedinë. I ftuar në studiot e BBC-së, Alibeaj është përpjekur që të shpjegojë se ai, në atë kohë, ka bërë vetëm detyrën, madje duke penguar që të ndodhnin afera korruptive. “Atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore, apo vakum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit, do të duhej të jepte këshillime të veta juridike, kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që, procedurat ligjore apo nënligjore, lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive. Kjo ka ndodhur, asgjë më tepër”, - tha dje Alibeaj. Por, në Gërdec, realisht ndodhi e kundërta. Korrupsioni arriti majat duke kulmuar në 15 mars 2008 kur shpërthimi i mori jetën 26 personave. Por Alibeaj, dje, nuk ka pranuar që të komentojë çështjet e tjera të korrupsionit, për të cilat është akuzuar.

Ai ka komentuar situatën e ngrirë me prokurorinë, duke u fokusuar edhe një herë në idenë se, ligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, është më i miri. “Ky ligj, në një nga dispozitat e veta, i punuar besoj me shumë delikatesë, me shumë finesë, me shumë qartësi, me shumë maturi madje e konstatoj një gjë të tillë, i cili parashikon një të drejtë shumë elementare që Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të njihet, të konsultohet, me ligjshmërinë dhe rregullueshmërinë e mbajtjes së disa akteve, të disa regjistrave administrativë të Prokurorisë. Jo vetëm kaq, por ligji parashikon edhe një lloj reciprociteti të shkëmbimit të informacionit statistikor përmes këtyre dy institucioneve dhe ka ndodhur thjesht dhe vetëm që është iniciuar nga Ministria e Drejtësisë një procedurë kontrolli, për të parë disa akte, ose më saktë për të parë rregullueshmërinë ligjore të mbajtjes së disa akteve administrative, gjithmonë administrative, të Prokurorisë dhe ky është gjithmonë, le të themi, koncepti i kontrollit dhe balancës midis dy institucioneve, të pavarura nga njëra-tjetra në funksionimin e tyre, por që Kushtetuta urdhëron dhe komandon që këto institucione, vërtet janë të pavarura, por duhet të ketë një sistem apo mekanizëm kontrollues dhe balancues midis tyre”, - tha Alibeaj. Gjatë fjalës së tij, ministri ka pohuar se ka arritur një marrëveshje me prokurorinë për ligjin dhe gjithçka është në rregull. Por, vetëm tri ditë më parë, prokurorët, gjyqtarët, avokatët, noterët dhe të gjitha organizmat e huaja në Shqipëri, treguan të kundërtën teksa dolën haptazi kundër projektligjit “Alibeaj”. “Ligji për prokurorinë ende nuk ka përfunduar së draftuari. Jemi në momentet e fundit, nuk do doja të bëja ndonjë zbulim të madh, por me kënaqësi mund t’ju thosha që të themi në bashkëpunimin teknik, ligjor, midis ministrisë dhe prokurorisë dhe asistentëve tanë kemi gjetur përfundimisht gjuhën e përbashkët për konceptet kryesore që duhet të përmbajë kjo reformë në sistemin e prokurorisë. Fakti që ju them që, nuk ka përfunduar, dhe shumë shpejt do të përfundojë, do të thotë që nuk ka përfunduar as në gusht”, - tha Alibeaj. Sipas tij, me prokurorinë është debatuar gjatë për këtë punë, ndërsa sipas prokurorëve, askush nuk i ka pyetur kur ka bërë ndryshimet në ligj.

Alibeaj akuzon Ina Ramën për klientelizëm

Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të Damir Fazlliçit, Alibeaj, ka marrë krahun e policisë, duke u justifikuar se prokuroria nuk ka bërë njoftimin në mënyrën e duhur. Ai nuk ka komentuar nëse kërkesa e prokurorisë është apo jo e ligjshme. Nga ana tjetër, Alibeaj ka komentuar edhe pozicionin e kryeprokurores Ina Rama, duke e akuzuar për klientelizëm. “Nuk do të ndodhë me këtë qeveri, me këtë mazhorancë, se për shkak se ka votuar dhe ka dhënë votën e tij, moralin e tij një individi të nderuar në punën e tij për të kryer punën e tij në bazë të ligjit, t’i kërkohet më vonë që të krijojë marrëdhënie klientelizmi. Sjellja e mazhorancës është e tillë, nuk formon asnjëherë marrëdhënie klientelizmi me atë që quhet sistem i pavarur. Në një moment të parë jep votën dhe nuk pretendon asnjëherë që të kërkojë shpërblim prej këtyre njerëzve. Është e qetë, është e lirë, lë njerëzit që të punojnë dhe i përgjigjet çfarëdolloj kërkese të ligjit”, - tha ministri Alibeaj. Por ai nuk ka treguar se në cilën pikë kryeprokurorja ka abuzuar me ligjin.

Drejtësia, pro deklarimit të financave të partive

Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, ka komentuar dje edhe reformat e kodit zgjedhor, duke e cilësuar si mekanizimin apo disiplinimin e partive politike. “Sigurisht që unë jam Ministër i Drejtësisë, por ky rregullim është duke u disiplinuar, unë besoj në një pajtim të forcave politike në parlament. Ajo çka ministri dhe ekzekutivi kanë bërë, është që ka paraqitur, ka konceptuar, ka draftuar një ligj të posaçëm, që është një detyrim, jo vetëm moral i kësaj shoqërie, i këtyre forcave politike, por madje është një detyrim edhe i angazhimeve tona ndërkombëtare. Ka një konventë të Këshillit të Evropës, e cila përcakton që duhet të ketë një ligj për financimin e partive, ky ligj është bërë, është draftuar, u është paraqitur forcave politike dhe është menduar që, forcat politike, ta fusin si një pjesë të kodit elektoral. Një ligj fare i thjeshtë, i cili thotë: Transparencë dhe deklarim të plotë të të gjithave financimeve dhe, në rast kur shkelet ky deklarim dhe vetëdeklarim, penalizohen forcat politike”, - komentoi Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›