E Diel, 1 Nëntor 2026

Debitorët, pronat u merren brenda 10 ditëve

Nëse një debitor s’shlyen borxhin e marrë në bankë, atij i merret prona e lënë peng, tri ditë pas vendimit të gjykatës

TIRANË – Kriza botërore e bankave ka detyruar qeverinë shqiptare që të ndërmarrë masa parandaluese për përhapjen e saj edhe në Shqipëri. Me sugjerimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa në Kodin e Procedurës Civile“, me anë të të cilit synohet të zgjidhen problemet që hasin aktualisht bankat private për të sekuestruar dhe shitur pronat e vëna peng si garanci, në rastet kur nuk u shlyhet kredia. Drafti, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe që ka nisur dje të diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, parashikon se, nëse një debitor nuk e shlyen borxhin e marrë në bankë, apo kudo tjetër sipas kontratës, atëherë atij i merret prona e lënë peng, tre ditë pas vendimit të gjykatës. Ndërkohë që, nga ana tjetër, ndryshimet e bëra, synojnë t’i japin fund zgjatjes pa masë të proceseve gjyqësore dhe të përshpejtojnë procedurën e dhënies së vendimit të sekuestros dhe nxjerrjes në ankand të një prone që është vënë si garanci nga debitori për kredinë e marrë. Kështu, vetë procesi gjyqësor, do të zhvillohet brenda një kohe shumë të shkurtër, jo më shumë se një javë, duke shmangur zgjatjen pafund të procedurave, që në shumë raste e bëjnë thuajse të pamundur që bankat të arkëtojnë paratë për kredinë e pashlyer. Ndërkohë, parashikohet që, prona e sekuestruar, të shitet në ankand, duke u dhënë të drejtën bankave që ta shesin atë me çdo çmim, mjafton që vlera të kompensojë kredinë e pakthyer. Kjo sot, me normat ligjore në fuqi, është e pamundur, pasi ligji i detyron bankat që ta shesin pengun me një çmim jo më të ulët nga sa është vlerësuar kur është dhënë kredia. Kjo ka bërë që shumica e pronave të sekuestruara, të mbeten pa u shitur dhe, për rrjedhojë, bankat të mos arkëtojnë lekët e tyre. Po kështu, nëse gjatë ankandit për pronën, ofrohet një çmim që nuk e plotëson shumën e kredisë, atëherë përmbarimi heq sekuestron mbi këtë pronë, e bllokon dhe nxjerr në shitje një tjetër pronë të debitorit. Ndërkohë që, në lidhje me këtë pikë, Shoqata e Bankave të Shqipërisë, e përfaqësuar nga avokatja Veronika Prifti, ka kërkuar dje në Komision që, në Kod, të bëhet një përcaktim detyrues që, në rastin kur debitori kredimarrës ka vënë më shumë se një pronë si garanci, atëherë ankandi të fillojë nga ajo pronë, të cilën e kërkon vetë Banka. “Kalimi i kësaj pasurie të dytë në ankand, mua më kërkon dhe shtatë muaj të tjera procedura, pasi do të fillojë ankandi nga fillimi. Pra, janë disa procedura që, në efektin kohor, na kushtojnë shumë”, - tha Prifti. Por, grupet e interesit, është përpjekur t’i qetësojë kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmajli, i cili ka theksuar se, projekti i paraqitur, parashikon që, edhe gjatë kryerjes së ankandit të pronës së dytë, prona e parë, pra ajo me hipotekë, qëndron në sekuestro. “Këto janë të sekuestruara dhe tani sekuestrohet dhe diçka tjetër, pra futet dhe diçka tjetër në proces ankandi, por këto të parat nuk çlirohen nga sekuestroja”, - tha Rusmajli, por duke lënë të hapur mundësinë e marrjes parasysh të kërkesës së bankave. Drafti i ri i jep gjithashtu të drejtën përmbaruesit që, edhe nëse nuk i gjen vendbanimin debitorit, të vendosë shpalljen e sekuestros në dyert e gjykatës dhe, 30 ditë pas kësaj, ai ka të drejtë të kryejë ekzekutimin e pronës edhe kur ai nuk është prezent. Nëse debitorët do të përpiqen të pengojnë punën e përmbarimit për të sekuestruar pasurinë, atëherë ky i fundit ka të drejtë që t’i gjobisë, ose të hap procedim penal. Me anë të këtyre masave, qeveria synon të frenojë rritjen kredive të këqija, pra të pakthyera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›