Autostrada Levan-Vlorë shkatërron kanalet kullues të tokave
Autostrada Levan-Vlorë, me gjithë ritmet e saj të ngadalta, ka sjellë mjaft probleme për disa fshatra të Rrethit të Fierit. Banorët e fshatrave Ferras, Pishporo dhe Qarr të Komunës Levan, ankohen se gjurma që prek kjo autostradë ka shkaktuar dëme në tokat bujqësore, si dhe në rrugët e fshatrave. Në Ferras dhe Pishporo ankohen se autostrada po u shkakton përmbytje, madje dhe dëme të mëdha në të mbjella. Përveç vonesës së shpronësimeve, të cilat nuk u janë njohur dhjetëra banorëve, tashmë komuniteti i fshatrave ku kalon kjo autostradë duhet të vuajë edhe pasoja të tjera. Banorët ankohen se punimet e autostradës u kanë shkaktuar bllokim dhe dëmtim të kanaleve kulluese të tokave bujqësore e për pasojë janë regjistruar përmbytje të sipërfaqeve me tokë. "Shirat e këtyre kohëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje, për shkak të bllokimit të kanaleve të kullimit të tokave në të gjithë gjatësinë e tyre nga firma që po kryen punimet. Ne kemi kërkuar ndërhyrje me pastrim të këtyre kanaleve, por as komuna dhe as prefektura nuk kanë dhënë ndihmën e tyre", shprehet Shefki Memaj, banor i Ferrasit. Ndërkaq, një tjetër banor, Agim Lazaj, tregon se përmbytjet si shkak i kanaleve të bllokuar dhe të mbyllur vetëm në tokat e tij kanë shkaktuar një dëm prej më shumë se 12 ha. "Jo vetëm tokat, por edhe oborret e shtëpive u përmbytën si shkak i dëmeve të punimeve që kreu firma e autostradës", thotë Laver Banaj, banor. Fermerët ankohen për dëmtime edhe të të mbjellave. Ata thonë se drithërat e mbjellë në fillim të muajit nëntor janë shkatërruar nga përmbytja. "Gruri dhe foragjeret që mbolla në fillim të nëntorit, të gjitha u dëmtuan nga përmbytja që shkaktohet nga mungesa e kanaleve kullues dhe ujëmbledhës, të cilët janë dëmtuar nga firma që kryen punimet e autostradës", ka akuzuar Xhevit Bidaj, banor i Pishporos. Banorët i janë drejtuar tri herë përfaqësisë së firmës me letër ankesa. Duke parë indiferentizmin e firmës, banorët i janë drejtuar komunës, por as këtu ata nuk kanë gjetur zgjidhje.
M. Troka
M. Troka