E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i bashkisë: Njohim vetëm vendimet e gjykatës

Punimet në zonën e Orikumit kanë "ngrirë". Lajmi konfirmohet nga kryetari i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho. Në një intervistë për "Shqip", kreu vendor sqaron situatën e krijuar kohët e fundit në këtë pjesë të bregdetit vlonjat.

Kohët e fundit po dalin disa persona që pretendojnë pronësi në zonën e Orikumit. Çfarë qëndrimi keni mbajtur ju si bashki ndaj këtyre pretendimeve?

Ky problem nuk zgjidhet nga ne si bashki, pasi këto çështje zgjidhen nga gjykatat dhe kur ka një vendim gjykate, ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Bashkia nuk ka asnjë të drejtë që të favorizojë ndonjë palë, si për ata që kanë certifikatë, si dhe për ata që disponojnë dokumente të rregullta dhe jo të rregullta. Ne punojmë vetëm mbi bazë vendimesh gjykatash.

Familja Blushi pretendon se toka që është përfolur kohët e fundit është e familjes së tyre. Si është e vërteta?

Siç e thashë dhe më parë, gjykata është ajo që i jep zgjidhje kësaj situate, është ajo që i çon në ZRPP dhe aty pronarët marrin certifikatën e pronësisë, duke marrë vendimin e gjyqit. Unë si bashki, vendimin e gjyqit e njoh vetëm në rast se ajo më nis procedurat, që më thotë të pezulloj një çështje ose diçka që ka të bëjë me bashkinë.

Aktualisht, kush nga pretenduesit e pronësisë ka dokumentacion të rregullt?

Aktualisht certifikatë të pronës të njohur nga ZRPP-ja ka vetëm familja Sinanaliaj.

Sa tokë të lirë ka në zonën e Orikumit?

Brenda vijës së verdhë të Orikumit është një hapësirë prej 130 ha, pjesa më e madhe e së cilës është e zënë me ndërtime. Toka e lirë dhe pa ndërtime është te 36-40 ha.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›