Zjarrfikësit: Rrugicat e ngushta na e vështirësuan punën
Kreu i zjarrfikëseve, Skënder Vraka, i cili ka udhëhequr operacionin e shpëtimit, pohon për "Shqip" se ka qenë e pamundur të ndërhyhet në kohë. "Ngjarja u njoftua vetëm pak minuta pas rënies së zjarrit. Pas njoftimit që morëm në telefon, u nisëm menjëherë në lagjen "Muzakaj", por rruga e ngushtë dhe afërsia e banesave me njëra-tjetrën na e vështirësuan shumë punën. Makina zjarrfikëse u vu në punë, kur flakët kishin pushtuar tërësisht katin e parë dhe tymi i dendur kishte mbuluar gjithë banesën", rrëfen për "Shqip" Vrakaj. Më tej ai tregon se ndonëse janë vënë në gatishmëri dhjetëra forca, ka qenë gati e pamundur për t‘u futur me mjete afër banesës. "Është dashur shtrirja e rreth 500 metrave tubo që uji të mbërrinte afër banesës, madje dhe kur autoboti është zbrazur, është bërë e mundur ndërhyrja dhe mbushja me anë të saraçineskave kryesore të banesave të kësaj lagjeje", rrëfen për "Shqip" Vraka. Ndërkohë mësohet se kanë qenë dhjetëra punonjës të zjarrfikëses, të cilat kanë luftuar me flakët për më tepër se 50 minuta, duke bërë çdo përpjekje për t‘u futur sa më shpejt brenda banesës. Por me gjithë përpjekjet maksimale, nuk është bërë i mundur shpëtimi i jetës së dy motrave. Pas fikjes së zjarrit, Kelima 15-vjeçare dhe Megi e vogël, vetëm 5 vjeçe, janë gjetur të shkrumbuara në krahët e njëra-tjetrës. Ato u nxorën pa jetë nga dhoma e tyre, të djegura krejtësisht, çka e bën këtë ngjarje një nga më të rëndat të ndodhura vitet e fundit në këtë qytet.