E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbijetuarit, jashtë rrezikut për jetën

Artur Kajo, 41 vjeç dhe i biri i tij, Glisioni, 12 vjeç, kanë mbërritur në orët e para të paradites së djeshme në repartin e djegieve dhe plastikës, pranë QSUT "Nënë Tereza", në kryeqytet. Glisioni, apo Soni siç e thërrasin ndryshe, i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të plagëve të thella të marra në gjymtyrë: duar dhe krahë. Ndërsa i ati është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe mjekët do të vendosin në ditët e ardhshme se kur do të bëhet e mundur ndërhyrja kirurgjikale. Bluzat e bardha kanë thënë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, por do të mbahen nën trajtim mjekësor dhe për disa ditë të tjera.

Ndërkohë, të afërmit e familjes Kajo, që kanë shoqëruar dy të lënduarit, janë ende të mpirë nga ngjarja. Askush nuk di të të shpjegojë se si ka ndodhur ngjarja apo të japë detaje për tragjedinë që ka pllakosur në familjen Kajo. "As ata të dy nuk dinë të shpjegojnë çfarë ka ndodhur. Djali është akoma nën efekt narkoze, ndërsa Turi është i traumatizuar nga ajo që ka ndodhur. I bie kokës me grushte dhe thotë vetëm: I mjeri unë, ç‘më gjeti, vajzat. Mjekët na kanë thënë që janë jashtë rrezikut për jetën, po do i mbajnë dhe ca ditë këtu", thonë të afërmit e Kajove, që mundëm t‘i takojmë në oborrin e repartit të plastikës në QSUT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›