E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Levan-Vlorë, hapet për automjetet

Nga dita e djeshme automjetet që qarkullojnë në drejtim të Vlorës do të kalojnë në pjesën e autostradës Levan-Vlorë. Ministri Olldashi ka inspektuar dje këtë pjesë të autostradës Fier-Vlorë, duke çelur njëkohësisht këtë segment të rëndësishëm rrugor për automjetet. Pjesa përfshin rrugën nga dalja e qytezës Levan, në një sens drejtimi kalon përmbi Urën e re në lumin Vjosë e lidhet me autostradën për në Vlorë. Ministri Olldashi tha se pas katër muajsh në takimin e tij me gazetarët do të inaugurohej e gjithë autostrada nga Levani në Vlorë në dy kahet e drejtimit të saj, duke lehtësuar qarkullimin rrugor dhe duke i dhënë Vlorës rëndësinë që ka për turizmin e saj. Më pas ai është ndalur në urën e re të ndërtuar mbi Vjosë, e cila përbën dhe veprën më të rëndësishme të artit në këtë autostradë. Ajo është e llojit të veçantë, e tipit rrëshqitëse dhe për ndërtimin e saj u punua më shumë se dy vjet e gjysmë. Ura është e gjatë rreth 125 metra, dhe ka një gjerësi prej 25 metrash në të dy kahet e kalimit të saj. Ajo është urë e përcaktuar për kalim automjetesh dhe jo për këmbësorë. Në lumin Vjosa janë ndërtuar disa këmbëza prej betoni, të cilat mbajnë mbi vete konstruksionin metalik të urës. Autostrada Levan-Vlorë ka një gjatësi prej 25km, gjerësi prej 31.5m dhe përbëhet nga 4-korsi. Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve do të jetë 120-130km/orë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›