Kufizime të energjisë në të gjithë vendin, CEZ: janë remonte
Ende të papranuara zyrtarisht, kufizimet energjisë elektrike për shkak të krizës në të cilën gjendet sektori, kanë filluar në Tiranë dhe në rrethe. Me një grafik të studiuar mirë, shumë lagje të Tiranës kanë kufizimeve me rreth 2 orë përgjatë paradites dhe orëve të mesditës, ndërsa në rrethe kufizimet janë edhe më të mëdha. CEZ Shpërndarje ka pohuar se nuk ka kufizime të programuara, pasi KESh deri më tani po siguron të gjithë energjinë që nevojitet për konsum. Të quajturat kufizime në disa zona janë për shkak të remonteve që vijnë nga defektet që krijohen nga ngarkesat në rrjet. Mirëpo aktualisht kufizimet po vijojnë në pjesën dërrmuese të vendit, duke përfshirë edhe Tiranën. Megjithëse Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka përjashtuar skenarin e orëve pa drita edhe në kushtet e mungesës totale të prodhimit të energjisë në vend. Aktualisht niveli i Fierzës është poshtë kuotës 259 metër, ose rreth 13 metër larg pikut të vdekjes. Konsumi ditor arrin në 23 milionë kilovatorë, nga të cilat 17,5 milionë kilovatorë importohen dhe 5,5 milionë kilovatorë prodhohen në vend. Po dje CEZ Shpërndarje njoftoi se, në kuadër të përmirësimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, ditën e hënë, më datë 5 dhjetor, do të kryejë riparime në nënstacionin Mëzezë. Për këtë arsye, të hënën, nga ora 09:00-15:00 do të ketë ndërprerje të energjisë për zonat: Unaza e Re, Fushë Mëzezë, Bregu i Lumit, ish-Mirëmbajtje Rrugë, Domje, Yshrek. Gjithashtu, të martën më datë 6 dhjetor, do të kryhen riparime në nënstacionin e Karbit. Për këtë arsye, nga ora 09:00-15:00 do të ketë mungesë të energjisë elektrike për rrugët “Thanas Ziko”, “4 Dëshmorët”, “5 Maji” dhe rruga “Bardhyl”. CEZ Shpërndarje rikujton se këto ndërprerje të energjisë janë të nevojshme për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë.