Autostrada Tepelene- Kakavijë i ka marrë jetën të rinjve
GJIROKASTER- Dy aksidente rrugore me dy të vdekur dhe dy të plagosur kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Tepelenë- Kakavijë. Aksidentet janë shënuar brenda 8 orësh dhe policia tha se po heton për zbardhjen e shkaqeve të këtyre dy aksidenteve të rënda rrugore.
Ngjarjet
Nga të dhënat zyrtare të policisë aksidenti i parë ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes kur një automjet tip “Audi”, me targë FR 6836 A ka dalë nga rruga afërsi të fshatit Kordhocë, rreth 3 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të Kakavijes. Për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i automjetit, emir i të cilit nuk është bërë i ditur. Aksidenti tjetër rrugor, ndodhi në orën 08.30 të ditës së sotme, në afërsi të fshatit Mashkullorë, rreth 5 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Automjeti tip “Landa”, me targë TR 2624 E, i drejtuar nga Astrit Çullai, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, u përplas me automjetin tip “Opel”, me targa greke AN 794 MS, i drejtuar nga Orges Selmani, lindur dhe banues në qytetin e Këlcyrës (Përmet). Sipas pasojë humbi jetën pasagjeri i automjetit “Landa” 24-vjeçari Altin Laçaj, lindur dhe banues në Mirditë. Ndërsa drejtuesit e dy automjeteve të përfshirë në këtë aksident kanë marrë disa fraktura të lehta dhe ndodhen në spitalin civil rajonal “Omer Nishani”. Vetëm në 4 ditët e fundit,- agjencia shqiptare e lajmeve- bën të ditur se në rrugën kombëtare Tepelenë-Kakavijë, me gjatësi rreth 70 kilometra kanë ndodhur tre aksidente të rënda rrugore, me pasojë tre viktima dhe dy të plagosur.
Rasti
Humbja e kontrollit të motoçikletës, i ka kushtuar një drejtuesi plagosjen jo vetëm të vetes, por edhe dy personave të tjerë që ndodheshin pranë, në momentet kur ka ndodhur aksidenti rrugor. Sipas të dhënave policore ngjarja ka ndodhur në qytetin e Durrësit, pranë shkollës “Marie Kaculini”, pasi 27-vjeçari Elvis Mustafa, duke drejtuar motoçikletën e tij me targë B2207310 ka humbur kontrollin e drejtimit dhe është rrëzuar. Si pasojë, është dëmtuar vetë Mustafa, pasagjeri i tij Shkëlzen Hoxha, 23 vjeç, si dhe një këmbësore, e cila po kalonte në rrugë, banuese në Durrës.
Të tre të dëmtuarit ndodhen në spitalin rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar fraktura të shumta, por gjenden jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë pasi u kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve, kanë konstatuar një pistoletë marke, e cila ndodhej në një çantë të vogël në kasën e motoçikletës.
Identifikohet autori i vjedhjes së një banese, arrestohet edhe për të tjera vjedhje
Korçë – Forcat e policisë së Korçës kanë mundur të zbulojnë dhe identifikojnë autorin e ngjarjes së ndodhur pak javë më parë në lagjen nr. 15 të qytetit të Korçës, ku u vodh banesa e Artan Nazifit. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, autor i kësaj vjedhje është 25-vjeçari Ilirjan Gegolli, banues në qytetin e Korçës, i dënuar edhe më parë për “Vjedhje”. Bëhet e ditur nga forcat e policisë se ai aktualisht gjendet i arrestuar edhe për një tjetër vjedhje të kryer prej tij. Shërbimet përkatëse kanë kryer veprimet procedurale për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprime të mëtejshme.
22 Maj 2009