E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeneral Luan Hoxha: Po më akuzoni se kam zbatuar ligjin

Zbardhet dëshmia e gjeneral Luan Hoxhës kur iu komunikua akuza. Gjenerali vuri në dukje se nëse mosveprimi i tij lidhet me urdhrat e Mediut

Tiranë - Gazeta “Albania” boton sot pjesërisht deklarimet e ish-shefit të Shtabit, Luan Hoxha, gjatë momentit kur prokurorët i komunikuan akuzën për shpërdorim detyre. Në këtë përballje, Luan Hoxha ka bërë argumentimet e veta duke pretenduar se të gjitha pikat, dokumentet, argumentet ku prokurorët mbështetnin akuzën, ishin të pabaza. Duke qëndruar në të njëjtën gjatësi vale me deklarimet e tij të mëparshme, gjeneral Hoxha, edhe kësaj here u është referuar dokumenteve zyrtare për të argumentuar se atij nuk i ishte lënë rrugë tjetër përveçse të mos ndërhynte. Sipas Hoxhës, gjithë kompetencat e tij ishin specifikuar nga një seri urdhrash të firmosur nga ministri i Mbrojtjes. Gjeneral-lejtënant Luan Hoxha u shkarkua nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm më 16 qershor të këtij viti, me dekret të presidentit Topi. Ishte kryeministri Sali Berisha ai që kërkoi nga kreu i shtetit shkarkimin e Hoxhës, pasi sipas tij ai ishte një nga shkaktarët për tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Pas shkarkimit nga detyra Luan Hoxha falënderoi përkushtimin dhe punën e Forcave të Armatosura në punën e bërë deri tani. Lidhur me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, ai u shpreh aso kohe se kishte zgjedhur heshtjen për t’u hapur rrugë hetimeve të pavarura dhe veprimeve të institucioneve për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë. “Kam zgjedhur me vetëdije heshtjen, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë do të ndihmoja në mënyrë modeste zhvillimin e hetimeve. Jam i bindur se ky qëndrim shkon njësh me respektimin e ligjit, ku vendimet merren pas gjykimeve, dhe jo para tyre”, - u shpreh Hoxha asokohe. Që nga nisja e hetimeve nga ana e organit të akuzës, ai është thirrur për të dhënë sqarime dy herë nga Prokuroria e Tiranës dhe dy herë nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë marrjeve në pyetje, ish-shefi i Shtabit ka dhënë sqarime lidhur me gjithë procedurën e demontimit të armëve në Fabrikën e Gërdecit. Më poshtë publikojmë pjesët e deklarimit të gjeneral Luan Hoxhës.

Dëshmia

Në lidhje me lejimin për dërgim të çmontimit të municioneve të kalibrave të ndryshëm sqaroj se referuar Vendimit nr. 138 të Këshillit të Ministrave është ministri Mbrojtjes autoriteti që përcakton kategorizimin e municioneve të hequra nga armatimi dhe përdorimi sipas qëllimeve të trajtimit të përcaktuara në krerët përkatës të kësaj VKM-je. Vendimin për të dhënë këto sasi dhe kalibra municionesh për shitje, demontim dhe demilitarizim ndërmarrjes MEICO-s e ka marrë KPKP-ja, e ngritur në bazë të Urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 416 të datës 2 prill 2007. Ky vendim ka përcaktuar sasitë, llojet e kalibrat e municioneve. Shefi i Shtabit nuk ka asnjë atribut ligjor se çfarë do të bëhet me municionet e tepërta jashtë nevojës së Forcave të Armatosura, pasi kjo detyrë nuk është në misionin e FA-së. Për rrjedhojë, ky vendim nuk është përcaktuar as si detyrë e përgjegjësi funksionale e Shtabit, por e autoriteteve civile. Përgjegjësitë ligjore të shefit të Shtabit të Përgjithshëm përshkruhen në nenin përkatës (e citon të plotë, shën. red) të ligjit për Forcat e Armatosura, i ndryshuar për herë të fundit në vitin 2004. Në mungesë të informimit dhe të kompetencave ligjore për të vendosur për këtë çështje edhe kur nga drejtori i Logjistikës (drejtorit të Shtabit) më është kërkuar të jap pëlqimin për të vënë në dispozicion të “MEICO”-s municionet me gëzhojë tunxhi të evidentuara tepër nevojave të FA-së, në këtë shkresë kam vënë shënimin: “Më sqaroni procedurën”. Siç e thashë më lart, sepse nuk isha në dijeni për Urdhrin nr. 416 të ministrit të Mbrojtjes në vitin 2007. Meqenëse kjo detyrë e vënë nga unë nuk u realizua në kohë, me porosinë time, shefi i Kabinetit të Shtabit, për të rikontrolluar detyrën që kisha lënë, u drejtohet drejtorit të Shtabit dhe drejtorit të Logjistikës me një shkresë, e cila përmban nr. 9232, datë 21.11.2007. Në këtë shkresë shefi i kabinetit tim vë në dukje mosrealizimin e detyrës dhe gjithashtu u thekson se vendimi në fjalë i ka kaluar po në të njëjtën datë ministrit të Mbrojtjes. Ky vendim kishte kaluar pa firmën e drejtorit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, i cili në bazë të ligjeve duhet të ndjekë zbatimin e urdhrit në fjalë. Në përgjigje të kësaj shkrese, drejtori i Logjistikës në shkresën e tij Memo të datës 22.11.2007, më kthen përgjigje ku më sqaron shprehimisht: “Meqenëse ju atë ditë nuk ishit, me urdhrin tuaj ne nisëm praktikën për ta kaluar te ministri nëpërmjet zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në kohën që praktika shkresore ishte te zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gojarisht u kërkua nga ministri me urgjencë Vendimi nr. 7, datë 1.11.2007”. Kjo shkresë ndodhet bashkëlidhur Memos që drejtori i Logjistikës dërgon për shefin e Shtabit të Përgjithshëm më datë 22.11.2007, të paraqitur tek unë nga oficeri ekzekutiv i kabinetit i shefit të Shtabit. Për këtë arsye po ju dorëzoj si provë praktikën e mësipërme, e cila është gjithë korrespondenca përkatëse me shënimin tim në Memon e datës 22.10.2007, shkresën e Shefit të Kabineti, dhe përgjigjen përkatëse të drejtorit të Logjistikës.

... Objektet e Gërdecit nuk kanë qenë pjesë e strukturës së FA-së. Është detyrë e institucioneve të tjera që të bëjnë licencimin e objekteve të municionit në pronësi ose përdorim të tyre, që sipas legjislacionit në fuqi nuk është detyrë e FA-së. Edhe kontrolli i subjekteve private për pajisjen me licenca nuk është atribut i FA-së. Si shembull, dhe depot e municioneve në uzinat ushtarake në Gramsh, Mjekës Poliçan etj., nuk janë të licencuara nga FA, pasi nuk janë pjesë e strukturës së FA-së. Shtabi nuk ka atribute t’i kontrollojë ato për standarde dhe licenca.
...Nisur nga sa kam shpjeguar më sipër del se pretendimi i akuzës për mosveprim të Shtabit në zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore mbi licencimin dhe kontrollin e depove të subjekteve civile nuk është relevant.

...Pyetje: A është në përputhje me VKM-në nr. 138 datë 14.3.2007 pika 8 e projekt-urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 2044 datë 7.12.2007?

Përgjigje: Unë them se pika 8 është në përputhje dhe në logjikën e VKM-së. Kjo për arsyet dhe logjikën që unë i shpjegova më lart.

Pyetje: Në pikën 3 të kreut IV të VKM-së parashikohet detyrimi për MEICO-n që të mbajë parasysh specifikimet teknike në lidhjet e kontratës me subjektin dhe jo në zbatim nga kontraktori të procedurave standarde të sigurisë. Çfarë keni për të thënë në lidhje me këtë?

Përgjigje: Në VKM unë nuk shoh asnjë parashikim se kush do të bëjë mbikëqyrjen e sigurimit teknik të procesit teknologjik të demontimit, duke u nisur nga fakti se pika IV/4 rregullon vetëm mënyrën e mbikëqyrjes së sigurisë ushtarake, që është e ndryshme nga siguria teknike dhe teknologjike. Është menduar që struktura më e përgatitur për të bërë mbikëqyrjen teknike dhe teknologjike gjatë procesit do të ishte struktura që do të kontrollonte rregullsinë e këtyre dokumenteve në momentin e lidhjes së kontratës

Pyetje: Në Memon e datës 28.12.2006, në përgjigje të kërkesës së “SAC”-it, ndërmjet të tjerave jeni shprehur se “ish-reparti ushtarak në Bërzhitë është i papërshtatshëm për demontimin e municioneve pasi nuk është rajon i licencuar etj”. Në projekt-urdhrin nr. 2044 është përcaktuar Gërdeci në Vorë si vend për procesin e demontimit të municioneve. A u verifikua ky ish-repart nëse i plotësonte të gjitha kushtet?

Përgjigje: Ne dhamë një përgjigje për Bërzhitën duke dashur të respektojmë standardet që kemi në FA, pasi donim të zbatonim standardet. Dalja e Urdhrit nr. 550 pa përfshirjen tonë si dhe fakti se procesi i demontimit bazuar mbi këtë urdhër doli me sukses, nuk la ndonjë argument për të kundërshtuar Gërdecin si vend për demontimin e municioneve të kalibrave 20 mm deri 152 mm. Po kështu, në shkresën që “MEICO” kishte dërguar në Ministri, për vazhdimin e demontimit ishte shënimi i ministrit: “Për veprim”, çka u konsiderua si detyrë për vazhdimin e procesit. Këto ishin arsye që nuk pati kundërshti për vendin. Dua të shtoj se nuk është shefi i Shtabit që përgjigjet me ligj për caktimin e vendit.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›