Kapet në Rinas, një 40-vjeçar i arratisur nga burgu në Maqedoni
Tiranë - Shërbimet e Hetimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, morën masën e arrestit në flagrancë për një shtetas maqedonas i kapur me pasaportë të falsifikuar. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Rinas thanë dje për gazetën “Albania” se i arrestuari është 40-vjeçari Adem Milaim Sulejmani, lindur dhe banues në Shkup, me kombësi dhe shtetësi maqedonase, i proceduar më parë për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Nga të gjitha verifikimet e kryera, del se ky shtetas është arratisur nga vendi i vuajtjes së dënimit në një burg të Maqedonisë. Arrestimi i Sulejmanit u krye, dje rreth orës 14:30, kur ai është ndaluar nga kontrollori në kabinat e daljes, ku po tentonte të udhëtonte në drejtim të Çekisë. Maqedonasi, tentonte të lëvizte transit në Hungari me linjën ajrore “Malev” drejt Budapestit, duke përdorur për të udhëtuar me një pasaportë bullgare, në emër të shtetasit Viktor Pavlov Mihaylov, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar. “Ky shtetas gjithashtu posedonte dhe një kartë identiteti bullgare po në emër të shtetasit bullgar Viktor Mihaylov si dhe një leje drejtimi bullgare po në emër të këtij shtetasi, të marra në të njëjtën datë, të cilat dyshohen si të falsifikuara”, - deklaroi policia. Ajo shtoi se në ngarkim të 40-vjeçarit janë dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Vënies në përdorim të dokumenteve (pasaportës) së falsifikuar”.
Tiranë, Markeljani 12-vjeçar godet sërish, kapet duke plaçkitur
Tiranë – Fëmija 12 vjeçar Markeljan Cungu, i cili njihet si një mjeshtër i frikshëm i vjedhjeve dhe plaçkitjeve pafund në Tiranë, Durrës dhe gjetkë, është zbuluar të godasë sërish. Ndërsa vetëm pak javë kishte që kishte përfunduar në dhomat e shoqërimit të policisë së Tiranës, sot, Markeljani u gjend si autor i një tjetër vjedhjeje banese. Burime të Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, thanë për gazetën “Albania”, se në sajë të një pune hetimore dhe profesionale bënë të dokumentimin ligjor të një vjedhjeje të ndodhur ditën e djeshme në Bathore. Nga verifikimet, u provua se Markeljani i ka vjedhur një banori vendas, brenda në banesë shumën e parave prej 600 mijë lekë, 300 euro dhe 70 dollarë. “Nga kryerja e veprimeve hetimore u bë e mundur zbulimi, vendndodhja dhe kapja e autorit të kësaj vjedhje i cili dyshohet të jetë i mituri Markeljan Cungu 12 vjeç, banues në Allias”, saktësoi policia. Ajo shtoi se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të bashkëlidhur të gjitha procedimet në ngarkim të tij, sepse dyshohet për kryerjen e një sërë vjedhjesh të ndryshme të ndodhura në kryeqytet.
22 Maj 2009