E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sannino: Vijoni me reformat, vit i rëndësishëm për integrimin

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sannino ka kërkuar nga forcat politike në vend të bashkëpunojnë dhe të vijojnë reformat për të përmbushur kriteret e kërkuara nga KE-ja për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto, Sannino theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave pasi sipas tij ky është një vit i rëndësishëm për integrimin e saj në Bashkimin Europian.
 

“Duhet të vijojë bashkëpunimi dhe theksoj se procesi integrimit duhet të jetë gjithpërfshirës pasi vetëm kështu mund të çohet përpara axhenda e integrimit të vendit. Ky ishte qëllimi i vizitës sime, dhe njëkohësisht do të kem takime të tjera me Komitetin e Integrimit, në mënyrë që të vijojë përmbushja e prioriteteve të Shqipërisë dhe që ky proces të bëjë përpara” ka theksuar Sanino.

Ai ka theksuar më tej se së bashku me ministrin e jashtëm Haxhinasto shkëmbyen biseda kontruktive për hapat e mëtjeshëm që duhet të ndërmerren për procesin e integrimit të Shqipërisë.
 

“Kur isha herën e fundit u finalizua marrëveshja mes dy partive politike për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe ligjet me shumicë të cilësuar dhe ndërkohë ka ndodhur edhe emërimi i Avokatit të Popullit me një frymë konsensuale dhe e pranurr nga të dyja palët. Dua që të vazhdohet në këtë rrugë dhe me rrugën e reformave” ka shtuar më tej Sannino.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka kërkuar nga angazhimin e të gjithë faktorëve politikë në vend që në mënyrë të pakushtëzuar ta vendosin integrimin në krye të axhendës së tyre politike, në mënyrë që ky proces të jetë suprem.


“Kemi rënë dakort që ky proces duhet të qëndrojë mbi çdo axhendë politike dhe partiake. Kam shprehur vlerësimin tonë se integrimi është prioriteti absolut i qeverisë dhe ka nevojë një ritëm në plotësimin e rekomandimeve të KE-së. Ka vlerësime pozitive për zbatimin e këtyre rekomandimeve, siç janë reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe për ligjet me shumicë të cilësuar” ka theksuar Haxhinasto.
 

Ai ka theksuar gjithashtu se fokusi për integrimin të jetë I qëndrueshëm dhe të japë rezultate konkrete në mënyrë që Shqipëria këtë vit të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
 

“Është e rëndësishme që procesi i integrimit të vazhdojë dhe fokusi të jetë i qëndrueshëm në mënyrë që procesi të japë produkte konkrete dhe më pas vendi të marrë edhe statusin kandiat” ka shtuar Haxhinasto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›