E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëmendje botës multipolare, z. Romni!

06-02-2012 / Nga Fareed Zakaria (“Uashington Post”)

I dashur Mit Romni, Urime për Floridan. Tani që jeni përsëri kryesues i garës mes republikanëve dhe fokusi i fushatës suaj po kthehet kah Presidenti Obama, do doja të tërhiqja vëmendjen në një linjë të cilën ju e keni përdorur në mënyrë të përsëritur: “Ky (Obama) është një President që thellësisht beson se ky shekull është shekulli pas-amerikan”. Unë ia lë Presidentit të flasë rreth gjerave të cilat ai i beson, por si autor i librit “Bota Pas-Amerikane” (i botuar edhe në shqip) më lejoni të sigurohem se ju e dini se çfarë po sulmoni. Unë e kam thënë që në krye të herës se “Ky është një libër që nuk flet për rënien e Amerikës por më tepër për rritjen e gjithë të tjerëve”. Jam optimist për Amerikën, i bindur se ajo mund të përparojë në këtë botë të re dhe të mbetet vendi më i fuqishëm në planet. Por unë argumentoj se ka përfunduar epoka e uni-polaritetit amerikan - e cila filloi me rënien e Bashkimit Sovjetik. Për një çerek shekulli pas rënies së komunizmit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dominuar botën pa ndonjë konkurrent të vërtetë politik apo ekonomik. Idetë dhe modelet e saj - konsensusi i Uashingtonit - u bënë urtësi e pranuar kudo. Sot ne jemi në një tjetër epokë. Në 1990-ën Kina përfaqësonte 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të të gjithë globit. Ekonomia kineze është katërfishuar duke arritur në 8 për qind të PBB-së së globit dhe vijon të rritet. Sipas shumicës së vlerësimeve, ekonomia kineze do të bëhet më e madhja në botë mes viteve 2016 dhe 2018. Kjo nuk është thjeshtë histori ekonomike. Rrezja e veprimit dhe kapaciteti ushtarak i Kinës po zgjerohet. Që prej vitit 2008, flota detare kineze ka shoqëruar më shumë se 4300 anije mes për mes Gjirit të Adenit. Shpenzimet e Pekinit për mbrojtjen ka shumë gjasa t’i tejkalojnë ato të Amerikës deri në vitin 2025. Për sa i përket zhdërvjelltësisë së saj në politikën e jashtme, shikoni në çdo kontinent: Një seli e shkëlqyer e Unionit Afrikan u përurua në Addis Abeba, Etiopi, javën e kaluar. Kompleksi 200 e sa milionë dollarësh është financuar nga Kina dhe u përurua nga një anëtar i lartë i Byrosë Politike, i cili mbërriti me një çek prej 94 milionë dollarësh. Nuk është vetëm Kina ajo që po rritet. Fuqitë e reja në çdo kontinent kanë arritur stabilitet politik dhe rritje ekonomike si dhe po bëhen aktivë në skenën globale. Njëzet vjet më parë Turqia ishte një demokraci e brishtë, e dominuar nga ushtria, e cila kishte një ekonomi të dobët që vazhdimisht kishte nevojë për dorëzani nga Perëndimi. Sot, Turqia ka ekonomi një trilion dollarëshe e cila u rrit me 6.6 për qind vitin e kaluar. Që prej prillit të vitit 2009, Turqia ka krijuar 3.4 milionë vende pune - më shumë se Bashkimi Evropian, Rusia dhe Afrika e Jugut marrë së bashku. Kjo mund ta shpjegojë besimin e kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan në vetvete dhe politikën e jashtme energjike të këtij vendi. Shiko në këtë hemisferë: Në vitin 1990, Brazili po dilte nga dekadat e diktaturës dhe ishte shkatërruar nga normat e inflacionit që arrinin në 3000 për qind. Presidenti i tij u vu në dyshim në vitin 1992. Sot, ky vend është demokraci e qëndrueshme, vazhdimisht në rritje me 350 miliardë dollarë depozita monetare të huaja. Politika e tij e jashtme është bërë jashtëzakonisht aktive. Presidentja Dilma Rousef është në Kubë këtë javë, çka shënon shprehjen braziliane të profilit më të lartë për të transformuar fuqinë e tij ekonomike në lidership diplomatik në Amerikën Latine, shkruante të mërkurën “Wall Street Journal”. Banka Shtetërore për Zhvillim e Brazilit po financon 680 milionë dollarë për rehabilitimin e portit të Marielit në Kubë. Për tri dekada me radhë, India nuk ishte në gjendje që të bënte ndonjë fuqi Perëndimore ta pranonte statusin e saj si fuqi bërthamore. Por teksa ekonomia e saj lulëzoi dhe Azia u bë mejdan i ri i çështjeve globale, humori ndryshoi. Gjatë pesë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania dhe të tjerët kanë pranuar masivisht programin bërthamor të Nju Delhit dhe me ngulm i kanë ardhur rrotull Indisë si një aleat i ri. Mund të vazhdoj edhe më tej. Kjo është një botë e re, shumë e ndryshme nga ajo botë ameriko-centrike me të cilën u mësuam gjatë gjeneratës së fundit. Obama ia ka dalë mbanë të ruajë dhe madje të rriste ndikimin amerikan në këtë botë pikërisht ngase në punën e tij i ka njohur këto forca të reja. Ai ka udhëtuar për në vendet në zhvillim dhe ka folur me admirim për rritjen e tyre. Ai e ka zëvendësuar klubin e vjetër Perëndimor dhe ka bërë Grupin e 20 vendeve më të industrializuara në botë, forumin kryesor vendimmarrës për çështjet ekonomike globale. Ai mori rezultate duke vënë theksin tek organizatat multilaterale, strukturat e aleancës dhe tek legjitimiteti ndërkombëtar. Ishte bashkëpunimi rus dhe kinez ai që prodhoi sanksione më të ashpra ndaj Iranit. Ishte kërkesa formale e Ligës Arabe vitin e kaluar ajo që bëri të padiskutueshme ndërhyrjen Perëndimore në Libi.
Në përgjithësi, ju e keni tallur këtë qasje ndaj politikës së jashtme, duke argumentuar se në vend të kësaj ju do të rrisni ushtrinë, veproni në mënyrë të njëanshme dhe të flisni në mënyrë jo apolegjetike. Kjo mund t’i joshë votuesit e zgjedhjeve paraprake në mesin e republikanëve, por triumfalizmi i rrahjes së gjoksit nuk do t’ju ndihmojë juve të siguroni interesat apo idealet e Amerikës në një botë të populluar nga lojtarë të rinj të fuqishëm. Ju mund ta quani këtë shekull të ri si të doni, por kjo s’do ta ndryshojë realitetin. Në fund të fundit, vetëm fakti se ne e quajmë diçka në një mënyrë nuk bën që ajo të jetë vërtetë e tillë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›