Universitetet, zyrtarizohen koeficientet e lëndëve me zgjedhje
Zyrtarizohen koeficientet e 17 lëndëve me zgjedhje, nëpërmjet të cilëve çdo universitet ka shprehur parapëlqimin e tij për secilën lëndë, varësisht nga profili i fakultetit. Vendimi për miratimin e koeficienteve të rinj të lëndëve me zgjedhje për 11 universitetet publike të vendit, për vitin akademik 2011-2012, është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Arsimit të Lart (KALSH), në Ministrinë e Arsimit. Gazeta zbardh sot koeficientet përfundimtarë të 17 lëndëve me zgjedhje, që janë listuar këtë vit në formularin A1, mbi bazën e të cilëve, maturantët, duke marrë parasysh edhe profilin e shkollës së mesme, duhet të bëjnë përzgjedhjen e dy lëndëve me zgjedhje, për të konkurruar për në universitetet publike të vendit. Këta koeficient do t‘u vijnë në ndihmë të gjithë maturantëve, jo vetëm për të bërë një përcaktim të qartë të prirjeve të tyre për të konkurruar në një program të caktuar studimi, por edhe për të bërë paraprakisht llogaritë personale, se çfarë lënde me zgjedhje duhet të përzgjedhin, në mënyrë që t’i kenë sa më të mëdha shanset për të fituar një të drejtë studimi. Kështu, nëse marrin rastin e maturantëve që kanë dëshirë të vazhdojnë Juridikun, duhet të kihet në konsideratë se lëndët me zgjedhje që të shpallin fitues në këtë degë, nëse kapen edhe pikët e mjaftueshme janë tri: Njohuri për shoqërinë, Histori dhe Anglisht. Të trija këto lëndë janë vlerësuar me koeificient maksimal nga fakultetet që e ofrojnë këtë program studimi, ndërsa edhe më të mëdha janë shanset e maturantët për të fituar Juridikun, nëse marrin parasysh edhe profilin e shkollës së mesme. Më konkretisht, një maturant i drejtimit të përgjithshëm, ose atij shoqëror, ka më shumë mundësi për t’u shpallur fitues në degët e studimit me profil shoqëror, pasi fakultetet vlerësojnë po me koeficient maksimal shkollat më afër drejtimit të tyre. Aktualisht, pas publikimit të këtyre koeficienteve, të gjithë maturantët mund të plotësojnë në mënyrë të saktë formularët A1 dhe A1Z, të cilët duhet të dorëzohen pa gabime, deri në datën 10 mars. Këtë vit, ndryshe nga maturat e mëparshme, koeficienti maksimal për lëndët e preferuara, në përputhje me programin e studimit që kërkohet të ndiqet nga vetë maturanti, për në universitet, do të jetë 1.4, nga 1.3 që ka qenë më parë. Ndërkaq, për pranimet në universitetet publike të vendit, sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, çdo degë e shkollës së lartë shpall propozimet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat janë dy lloje koeficientesh në dispozicion, nga 1.0 në 1.4. Kështu, megjithëse universitetet kanë të drejtë të propozojnë koeficiente më të lartë për degët e profilit të tyre, vendimi për koeficientet përfundimtarë merret nga Ministria e Arsimit. Edhe për vitin e ri akademik, 2011-2012, për pranimet në shkollat e larta do të jenë në dispozicion dy lloje koeficientesh, që janë ata të lëndëve me zgjedhje, si dhe ata të shkollave të mesme. Më konkretisht, dy llojet e koeficienteve janë: 5 koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për dy e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera, me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje, që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3), të vendosur nga dega e fakultetit.