Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hyn zyrtarisht në Bibliotekën Europiane
Është nënshkruar këto ditë një memorandum mirëkuptimi mes Konferencës së Bibliotekave Kombëtare të Europës, të përfaqësuar nga dr. Elisabeth Niggermann, dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të përfaqësuar nga dr. Aurel Plasari, për përfshirjen me statusin e partnerit të plotë të BKSH në Bibliotekën Europiane. Biblioteka Europiane është një institucion i ri bashkëkohor, i themeluar si nismë e Konferencës së Bibliotekave Kombëtare Europiane, që tanimë u ofron lexuesve internetistë shërbim falas dhe qasje në 48 biblioteka kombëtare dhe në 20 gjuhë. Burimet e ofruara prej saj janë dy llojesh: dixhitale ose bibliografike (libra, postera, harta, regjistrime zanore, video etj.). Në ditën e sotme, Biblioteka Europiane u jep qasje 150 milionë njësive bibliotekare. Hyrjet e koleksioneve dixhitale të referencës janë gjithnjë në rritje. Cilësia dhe mirëfunksionimi garantohen nga 48 biblioteka kombëtare të Europës, numri i të cilave vjen duke u shtuar. Me nënshkrimin e këtij memorandumi Biblioteka Kombëtare, nga ana e saj, ka marrë përsipër të integrojë bazën e të dhënave të veta, si edhe informacionin dixhital, tanimë në linjë, në portalin e përbashkët të Bibliotekës Europiane brenda muajit dhjetor të këtij viti, duke mundësuar kështu qasjen përmes rrjetit europian në burimet albanologjike, si dhe në gjuhën shqipe, të BKSh-së. Biblioteka Kombëtare në kryeqytet është padyshim një nga institucionet më të rëndësishme kulturore, si dhe më e madhja e llojit të vet në të gjithë vendin. Nga librat e rrallë dhe antikuaret, ajo disponon rreth 2 mijë tituj, të cilët janë dhuruar nga pronarët e tyre, ose janë blerë prej BKSh-së. Sa u takon vëllimeve, Biblioteka Kombëtare mendohet që sot për sot ka mbi një milion libra në arkivin e saj.
5 Nentor 2008