Flamur Bime, kandidati i “Aleancës për të ardhmen”
“Për një Gjirokastër të gjelbër
dhe infrastrukturë bashkëkohore”
Ju rikandidoni në postin e kryebashkiakut dhe ka pasur shumë kontestime për kandidaturën tuaj. Çfarë gjëra të reja keni për t'u thënë qytetarëve?
Nuk ka patur asnjë kontestim. Përkundrazi. Ka patur një mbështetje të gjerë mbarëqytetare. Në testet e zhvilluara nga institucione dhe organizata ndërkombëtare, ku në tregun e testeve janë hedhur jo pak po 5 kandidatura, unë kam marrë rezultate mbi 65% nga të pestë së bashku. Dhe nuk ka qenë një sondazh, por tre. Është tjetër dëshira e gjithsecilit për të kandiduar. Kjo është e vërtetë. Ka pasur disa alternativa dhe është përzgjedhur ajo që mbështetej gjerësisht nga qytetarët. Ishin ata e vetëm ata, anetë, nënat, vajzat, të rinjtë e të rejat, mjeshtërit duarartë, qytetarët fisnikë të Gjirokastrës sonë, që frymëzuan, motivuan dhe mbështetën punët e mëdha ndërtimore, transformimin dhe zhvillimin e vrullshëm të qytetit. Besimi tyre, është përgjegjësia e morali im për të vijuar të përmbushim misionin dhe të realizojmë projektet që kemi nisur bashkërisht. Më pyesni çfarë u them unë qytetarëve të Gjirokastrës ? Unë nuk flas në fushatë, pasi kam folur çdo orë e ditë të vitit, jo me fjalë por me punë. Fushata do të bazohet vetëm tek puna. Do të përurojmë investimet e nisura këtë vit e që janë rreth 60 objekte në çdo cep të qytetit dhe do të prezantojmë rreth 70 projekte të reja për vitin 2011. Punë dhe vetëm punë për të bërë Gjirokastrën europiane. Këto janë fjalët e mia, sepse ashtu si mençuria gjirokastrite, unë falem vetëm në Tempullin e Punës.
Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?
Do të jenë: Turizmi. Gjirokastra e gjelbër. Infrastrukturë bashkëkohore.
Kujdesi social për qytetarin gjirokastrit.
Na citoni 5 projektet më të rëndësishme...
Nuk janë pesë projekte, ne kemi një program të gjerë të konsultuar me grupet e interesit, fondacionin e ideve të rinisë, me katedrat universitare, qytetarët etj.
Vetëm për vitin 2011 janë rreth 60 projekte që kanë nisur nga puna në qytet.
Kemi një fletë-palosje me 12 faqe të botuar në 8 000 kopje, që e kemi shpërndarë në çdo cep të qytetit. Qytetarët e dinë mirë se çdo të realizoj në katër vjet, sepse unë jap çdo tre muaj llogari në çdo lagje dhe ballafaqoj premtimet me realizimet. Është kjo arsyeja e një mbështetjeje mbarëpopullore. Qytetarët duan punë e vetëm punë, për të përmirësuar çdo ditë standardin e jetesës së tyre.
Si do t'i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?
Sa i përket trafikut, pra qarkullimit rrugor, ju e dini që është kompetencë e Njësisë së Qarkullimit, megjithatë po ju them se në bashkëpunim me këtë institucion po punojmë për një rregullore të re sezonale për qarkullimin në Pazarin Karakteristik. Nga ana tjetër bashkia e qytetit ka hartuar dy projekte madhore, që tashmë kanë fituar investimin përkatës nga donatorët e huaj, pasi qeveria shqiptare politikisht e ka braktisur dhe harruar prej kohësh Gjirokastrën e nuk ka kryer asnjë investim. Projekti i parë ka të bëjë me rrugën turistike Postbllok–sheshi “Çerçiz Topulli”, ku do të ndërtohen dy ura tek ura e vjetër e Nanxës si dhe do të zgjerohet me katër korsi kjo rrugë e do të ketë ndriçim dekorativ. Projekti i dytë lidhet me masterparkingun, që nis me zgjerimin e sheshit “Çerçiz Topulli”, ku do të ndërtohet një parking i stërmadh me katër kate e kapacitet 800 vende, që do të zgjidhë përfundimisht rëndesën e trafikut në Pazarin Karakteristik gjatë sezonit turistik. Sa për mjedisin, po ju them se në të gjitha monitorimet e organizmave ndërkombëtare, por dhe të Ministrisë Shqiptare të Mjedisit, Gjirokastra është qyteti më ambiental, më i pastër dhe ku pastërtia e ajrit tejkalon edhe vende të super përparuara, si Suedia, Finlanda, Zvicra, Gjermania etj. Për shkak të pasurive të jashtëzakonshme arkitekturore, historike e kulturore, por dhe të një dimensioni ambiental të konsiderueshëm, Gjirokastra ka zhvilluar e po ecën shpejt në shndërrimin e turizmit si degën kryesore të zhvillimit ekonomik. Qyteti sot ka një turizëm të zhvilluar, sisteme muzesh, qendrash informacioni turistik, agjenci turistike, që po shndërrohen në industri fitimprurëse. Nga 300 vizitorë në vitin 2005, sot numri ka shkuar në rreth 32 000. Gjirokastra sot është një qendër e rëndësishme e artit dhe kulturës.
Ka mjaft tregues, por ajo që mund të shprehet përmbledhtas është fakti se sot Gjirokastra është qytet me Planin e Përgjithshëm Urban të hartuar në bashkëpunim me tri kompani lidere në tregun botëror si dhe një investim të Bankës Botërore. Gjirokastra po zhvillohet me një vizion europian dhe qytetarët e saj e dinë mirë destinacionin e tyre.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?
Po ju jap si përgjigje një sentencë të gjirokastritëve të moçëm: “Gjirokastriti të pret nga kostumi e të përcjell nga mendja”. Kundërshtari politik... Ai është thjesht kandidat i LSI-së, që rastësisht përfaqëson dhe mazhorancën, me të cilën jemi përballur disa herë gjatë viteve të fundit dhe Gjirokastra e mençur e gjirokastritëve racionalë e plot virtyte ju ka dhënë atë që meritonin. Qytetarët shqiptarë, sikundër dhe ata gjirokastrite, e dinë mirë se si po qeveris mazhoranca Berisha–Meta. Si mendoni ju, nuk do t’ju japë atë që meritojnë?
A do të pranonit të bënit debat në televizion me kundërshtarin tuaj?
Nëse vlen si kontribut për qytetarinë dhe zhvillimin e Gjirokastrës, pse jo?