E Diel, 1 Nëntor 2026

“Autostrada energjetike e Jugut”, përgjigja më e mirë ndaj kërkesave të tregut

20-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri inauguron fillimin e projektit për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kV të Jugut të vendit
 
Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, kryeministri Berisha inauguroi edhe fillimin e punimeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kV të Jugut të Shqipërisë, investim 35 milionë dollarë, financim i qeverisë gjermane nëpërmjet Bankës KfW, të cilën e quajti “autostrada energjetike e Jugut”. Projekti startoi me fuqizimin e nëntacionit 400/110 kV Zemblak, me vlerë 4.4 milionë euro dhe që përbën Lotin 1 të tij. “Ndërtimi i asaj që quhet unaza e Jugut apo autostrada energjetike e Jugut,  - u shpreh Kryeministri, - është i një rëndësie kapitale për t’iu përgjigjur në mënyrën më të shpejtë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpejtë të zonës jugore të vendit, për shkak të bumit të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t’u zhvilluar”. “Kjo është alternativa jonë, vijoi Berisha, alternativë që e konsideron energjinë epiqendër”. “Pas resurseve njerëzore, energjia është një kusht tjetër vendimtar për zhvillim të shpejtë, ndaj ne jemi kaq shumë të përqendruar”- vijoi ai.  Kreu i qeverisë akuzoi Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, Edi Rama se i ka shpallur luftë koncesioneve. “Të dashur miq, kjo është rruga jonë e zhvillimit të energjisë. Cila është rruga tjetër? Komision i jashtëzakonshëm për kontrollin e koncesioneve, i kryesuar nga gjobëvënësi kryesor i vendit, Koço Kokëdhima. Kjo ishte alternativa që u premtua këtu në Korçë dhe pasi korçarët i thanë se me këtë alternativë nuk kemi punë, doli u tha gazetarëve me tërbim se do të kontrollojë me një komision të jashtëzakonshëm gjithçka të jashtëzakonshme. Tek vija këtu, një burrë i moshuar më tha: çka ai me vitet e njerëzve, përse mendon të ofendojë njerëzit për vitet e tyre. Përgjigjja ime ishte se është rritur në bunkerin e bllokut. Nuk ka shpjegim tjetër. Por le ta lëmë në edukatën e tij, ne të vazhdojmë punën. Kemi shumë punë për të bërë, shumë vepra për të ndërtuar. Ne kemi për të transformuar më tej Shqipërinë, për një Shqipëri të zhvilluar, një Shqipëri europiane”- deklaroi Berisha. Projekti përfshin edhe Loti 2, ndërtimin e linjës 110 kV, me gjatësi  250 kilometra dhe vlerë investimi 30.5 milionë euro. Linja 110 kV përfshin ndërtimin e linjës dyfishe Vlorë-Sarandë, 105 km; Ersekë-Përmet, 55 km; Përmet-Këlcyrë-Memaliaj, 36 km; ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zemblak-Korçë, 13 km; zgjerimin e impianteve në nënstacionet Babicë, Sarandë, Memaliaj, Përmet dhe Korçë. Ndërtimi i linjës Babicë-Sarandë, mbyll në unazë një pjesë të rëndësishme të rrjetit elektrik 110 kV të zonës Jugperëndimore, duke rritur sigurinë dhe përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike të kësaj zone. Kalimi i linjës së re 110 kV në zonën e bregut të Jonit krijon mundësinë e ndërtimit të nënstacioneve 110/20 kV në këtë zonë, që përmirëson infrastrukturën elektrike si një domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit cilësor. Kështu, fuqizimi i nënstacionit 400/110 kV Zemblak dhe zgjerimi i rrjetit 110 kV në zonën juglindore do të mbyllë në unazë një pjese të rrjetit ekzistues 110 kV në zonën Juglindore. Kalimi i linjes 110 kV në luginën e Vjosës do të krijojë mundësinë e lidhjes në rrjetin transmetues të hidrocentraleve që do të ndërtohen në rrjedhjen e sipërme të këtij lumi. Projekti në tërësi ka një impakt të konsiderueshëm nga eliminimi i ndërprerjeve për shkak të defekteve dhe mbingarkimit të rrjetit, në përfitimin e madh që sjell në reduktimin e humbjeve të energjisë elektrike. Në sektorin e energjisë janë investuar 720 milionë euro në përmirësimin e cilësisë dhe rikonstruksionin e rrjetit, pa investimet në burimet ujore; janë nënshkruar 130 kontrata koncesioni për ndërtimin 365 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1650 MGË dhe investim 2.8 miliardë euro; kanë hyrë në prodhim 66 HEC, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 205 MGË dhe investim total 280 milionë euro; vetëm gjatë këtij  viti janë lidhur 12 kontrata për ndërtimin e 46 hidrocentraleve të reja. Të punësuar direkt janë më shumë se 5 mijë punonjës dhe indirekt deri në 12 mijë. Gjithashtu janë licencuar 15 kompani për të ndërtuar parqe eolike, me një fuqi të instaluar prej rreth 1600 MË, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në Veri e deri në rajonin e Sarandës në Jug.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›