E Diel, 1 Nëntor 2026

Genc Pollo: “Shëndetësia prioritet i qeverisë, do vijojë rritja e rrogave të mjekëve dhe infermierëve”

20-06-2013 / Gazeta 55

Ministri i Inovacionit, takim me mjekët dhe infermierët e Qendrave Shëndetësore të Beratit

Ministri i Inovacionit dhe TIK, njëkohësisht kryesuesi i listës së PD-së për qarkun e Beratit, Genc Pollo, ka zhvilluar një takim me mjekët dhe infermierët e Qendrave Shëndetësore të Beratit, i shoqëruar edhe nga kandidatët e tjerë për deputetë, Mehmet Xheka dhe Nevila Hyska. Gjatë fjalës së tij Pollo ka thënë se rrogat e mjekëve dhe infermierëve, krahasuar me vitin 2005 kur PD-ja erdhi në pushtet janë dyfishuar, ndërsa, nga ana tjetër, ka premtuar rritje të rrogave të sistemit shëndetësor edhe në të ardhmen. "Në vitin 2005, - tha Pollo, - rroga e infermierit ishte 150 mijë lekë të vjetra në 356 mijë lekë të vjetra që marrin sot, në 2013, dhe nga 226 mijë lekë të vjetra për mjekun në 2005 kalojmë në 580 mijë lekë të vjetra sot, në 2013. Ka qenë një politikë konstante e qeverisë dhe e Kryeministrit Berisha për rroga më të mira dhe ju e keni dëgjuar se politikat e mirëpagimit për personelin dhe motivimi financiar i punonjësve të shëndetësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen". Në vazhdën e fjalës së tij  Pollo ka bërë edhe një dallim mes dy alternativave, të PD-së dhe të PS-së, në sistemin shëndetësor, ku, sipas tij, alternativa e PD-së është jo vetëm më e mira dhe më eficente për një vend si Shqipëria, por ajo e Partisë Socialiste do ta çonte gjithë sistemin shëndetësor në kolaps dhe do të reduktonte automatikisht vendet e punës për punonjësit e këtij sektori mjaft të rëndësishëm. "Mendoj se megjithë defektet që mund të gjenden tek sistemi i sigurimeve shëndetësore, pra përmes kontributit të të siguruarit, në një fond të madh dhe përfitimit prej këtij fondi të atij që kthehet një moment në pacient, është një model që funksionon jo vetëm në Gjermaninë e Bismarkut, por funksionon në shumicën e vendeve evropiane. Dhe ky model i themeluar para 20 vjetësh është përmirësuar, është përsosur, gjatë këtyre dy dekadave. E them këtë për të bërë një kontrast të qartë me alternativën që paraqitet përpara publikut nga Partia Socialiste dhe shefi i saj, Edi Rama. Anulimi, asgjësimi, abrogimi, i sistemit të sigurimeve shëndetësore me një të rënë të lapsit, me një ligj me 71 vota, dhe zëvendësimi me sistemin britanik, ku gjithçka derdhet nga buxheti dhe gjithçka administrohet nga shteti, pra nga kjo strukturë publike, çka mund të jetë e mirë ose jo e mirë për Britaninë e Madhe, nuk jemi mbledhur këtu për të gjykuar atje, por në kushtet e Shqipërisë, si dhe në kushtet e vendeve të ngjashme, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë, Serbi, është një sistem që ne besojmë se absolutisht është një dizastër e vërtetë, sepse do të ngarkojë një strukturë të administratës publike me atë që vërtetë ka treguar se nuk e bënë dot, sepse ia lënë, relativisht, tregut dhe duke ia lënë ofruesit të shërbimit, kundrejt sigurimit, në vende si ky i yni dhe jo vetëm i yni, pasi ka dhe shumë vende të zhvilluara e të pasura, si Gjermania, funksionon më mirë. Pra, sistemi shëndetësor i financuar nga buxheti, që do Edi Rama, do të çojë në kolaps dhe do të çojë në reduktimin dhe në pasoja direkte për secilin prej jush dhe pastaj për sistemin shëndetësor në përgjithësi.” – përfundoi Pollo.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›