E Diel, 1 Nëntor 2026

“Avancimi i integrimit të Shqipërisë varet nga miratimi i tre kushteve”

24-04-2013 / Gazeta 55

Mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE në Luksemburg.


Fyle: Të rinovohet konsensusi për KQZ. Bregu: Zgjidhja tek respektimi i ligjit


Avancimi në integrimin europian të Shqipërisë varet kryesisht nga votimi i dy ligjeve dhe aprovimit të rregullores së Kuvendit. Në këshillin e pestë të stabilizim-asociimit BE-Shqipëri në Luksemburg doli në pah edhe nga presidenca irlandeze dhe nga Komisioni Europian, se janë këto tre kushte që e mbajnë ende peng statusin e kandidatit për Shqipërinë. Nga pala evropiane ishin të pranishëm, e ngarkuara e përfaqësueses për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë, Lucinda Creighton, ministrja irlandeze për integrimin evropian. Në konkluzionet e Këshillit të pestë tê stabilizim-asociimit, është rishikuar përmbushja e 12 prioriteteve. Komisioneri evropian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë Stefan Fyle ndodhej në tryezë bashkë me drejtorin Luis Felipe Fernandez de la Pena. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. “Rekomandimi i tetorit kushtëzohej nga plotësimi i tre çështjeve nga pala shqiptare. Kjo pasi këto tre çështje ishin pjesë e një liste ku Shqipëria provoi që kishte përmbushur kushtet. Ishte kjo listë e një mase kritike, mbi të cilën u bazua Komisioni Europian, kur propozoi statusin e kandidatit për Shqipërinë. Ishe kjo listë për të cilën u punua prej muajsh së bashku midis qeverisë dhe opozitê, ku u tregua një bashkëpunim i mirë. Është mëkat që ky bashkëpunim ndaloi kaq afër arritjes të tê gjitha kushteve”, u shpreh Komisioneri për zgjerimin në BE, Stefan Fyle. Sipas ministres irlandeze për çështjet evropiane, Lucinda Creighton statusi i kandidatit varet nga pala shqiptare. “Tre kushtet duhet të njohin progres dhe me përmbushjen e tyre, ne mund të japim statusin e kandidatit. Statusi i kandidatit mund tê arrihet shumë shpejt, por kjo varet nga Shqipëria”, vuri në dukje, Creighton. Ministrja Majlinda Bregu ka theksuar, se nuk ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që e ka lënë Shqipërinë pa status. “Dokumenti me 12 rekomandimet nuk është një dokument i vdekur. Ne po raportojmë vazhdimisht mbi përmbushjen e këtyre kritereve. Statusi nuk u dha jo sepse Shqipëria nuk arriti një masë kritike të kritereve. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit tê organizuar nuk do të pushojnë kurrë edhe pasi Shqipëria të bêhet anëtare. Shqipëria nuk e mori statusin për shkak të mosvotimit të 3 kushteve”, vuri në dukje Bregu. Por duke qenë se shumicë e cilësuar për votimin e tre kushteve nuk ekziston aktualisht, e gjithë vëmendja është përqendruar te procesi zgjedhor. Duke u ndalur te çështja e zgjedhjeve të 23 qershorit, Komisionieri Fyle theksoi se është me rendësi zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve europiane dhe ndërkombëtare. Për të arritur këtë duhet që të gjitha forcat politike të garantojnë besueshmërinë, paanshmërinë e procesit elektoral, element thelbësorë këto për integritetin e procesit zgjedhor. Fyle kërkoi gjithashtu që të gjitha palët të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Në lidhje me çështjen e KQZ-së Fyle theksoi se KE është e shqetësuar për zhvillimet e fundit në KQZ dhe bën thirrje që të gjitha palët të rivendosin shpirtin e konsensusit, që solli Kodin e ri Zgjedhor. Fyle theksoi se për zgjedhjet e 23 qershorit KE do të dërgojë misionin e tij vëzhgues, raporti i të cilit do të jetë pikë referimi për vlerësimin e këtyre zgjedhjeve nga BE. Nuk mungoi as apeli i Fyle për KQZ. “Ka një nevojë urgjente për partitë politike që të rivendosin besimin për funksionimin rigoroz dhe jopartizan të institucioneve demokratike. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë  që të kthejnë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Të gjitha partitë politike. Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë që të sigurojnë pavarësinë e organizmave të administratës zgjedhore. Është themelore për kredibilitetin dhe paanshmërinë e punës së tyre dhe për ndershmërinë dhe besimin te procesi zgjedhor. Jemi të shqetësuar për  zhvillimet e fundit lidhur me përbërjen e KQZ-së dhe rrjedhojat për procesin zgjedhor. Apelojmë që gjitha palët të rinovojnë konsensusin për KQZ-në”, u shpreh Fyle. “Zgjedhjet janë kyç. Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet e fundit lidhur me KQZ-në, por do ketë shumë vëzhgues për zgjedhjet. Do jetë shumë e mirë për kredibilitetin e procesit zgjedhor, që ODHIR të hartojë një raport pozitiv”, deklaroi ministrja Creighton. Por nga ana e saj, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu zgjidhja qëndron pikërisht te ligji. “Nëse marrëveshjet do të respektohen në frymë dhe në germë për KQZ-në, të gjitha garancitë janë në dispozicion”, u shpreh Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›