E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të rinjtë, forca e PD-së, nuk pajtohen me bllokimin e integrimit”

24-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha, në një bashkëbisedim me pedagogë të Universitetit të Tiranës


Kryeministri Sali Berisha, në një bashkëbisedim me pedagogë të Universitetit të Tiranës, deklaroi se të gjitha exit-pollet, edhe ato kundërshtare, tregojnë se të rinjtë dhe të rejat në mazhorancë votojnë Partinë Demokratike. Kryeministri tha se të rinjtë nuk mund të durojnë dhe të pajtohen me praktikat bllokuese të rrugës së integrimit. “Ishte fatale për Edi Ramën kur ato revista që i citonte vetë deri para pak ditësh, treguan se ndonëse është 20 vjet më i ri se unë, të rinjtë votuan 70 për qind më shumë Sali Berishën. Ndaj unë e urova sinqerisht, u rinofsh sa më shumë. Të rinjtë kanë besim tek Partia Demokratike”, tha Berisha. Duke folur për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe bllokimin e 3 ligjeve, kreu i qeverisë u shpreh se, “sot në Luksemburg ishte Këshilli i dialogut mes Shqipërisë dhe BE-së. Kryetarja e radhës së Ministrave të Jashtëm, e Irlandës dhe Komisioneri Fyle, në mënyrë të përsëritur dënuan mosvotimin e tre ligjeve. Kjo për çdo të ri shqiptar përbën një fakt, një zhvillim, jashtëzakonisht të papranueshëm. Nuk mund t’i nxjerrësh mur përpara këtij vendi, është jashtë çdo koncepti. Një njeri që ka minimumin e atdhetarizmit nuk do të mund ta bënte dot kurrë diçka të tillë, të mbajë peng tre ligjet”.     Çelësi i fitores janë të rinjtë, u shpreh dje kreu i qeverisë dhe ftoi përgjegjësit e qarqeve që të bëhet gjithçka për të krijuar një “network” sa më i gjerë me të rinjtë, “Facebook”, “Twitter”, SMS, “Whtasapp”, etj, pasi, sipas tij, e gjithë detyra në këto zgjedhje është të punohet me të rinjtë. “Të bëni rigrupimet e duhura, me nxitjen, inkurajimin e çdo të riu, që të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Kryeministri. Ai kërkoi të bëhet edhe një rishikim i numrit të të rinjve që janë pajisur me karta identiteti, në mënyrë që më pas të bëhet gjithçka që të pajisen, pasi pa të ata nuk mund të votojnë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›