“Rama tregtoi lejet e ndërtimit për përfitime politike”
PD akuza kreut të PS-së në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës
Partia Demokratike akuzoi sot kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se në kohën kur ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, tregtoi lejet e ndërtimit për përfitime politike. “Dje, kryeministri Berisha inauguroi së bashku me kryetarin e bashkisë, një terren sportiv dhe mbolli pemë në një shesh mes pallateve në një lagje të Tiranës. Kryeministri u angazhua se ai e konsideron kujdesin për tokën dhe mjedisin si kujdesi për shëndetin dhe jetën. Në kuadrin e planit kombëtar të zhvillimit të Sportit, qeveria do të mbështesë nismën e krijimit të terreneve sportive në të gjitha blloqet e qyteteve, shkollave dhe komunave të vendit. Partia Demokratike beson se rinia duhet të ketë mundësi pa kufij; po kështu edhe mundësinë për të lulëzuar në sporte”, u shpreh zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.
Por, vijoi zëdhënësja e PD Vorpsi, “e vetmja mundësi që shqetëson z. Rama është kontrolli personal mbi Partinë Socialiste. Prandaj dhe asokohe, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Rama tregtoi lejet e ndërtimit për përfitime politike. Ai dha ‘Leje Klientele’ për të ndërtuar gradaçela në oborret dhe ambientet sportive të shkollave. Z. Rama i ka futur buldozerin ambienteve sportive në shkolla për përfitime personale politike”.
Por akoma më keq, shtoi Vorpsi, “Rama ka vënë si zëdhënës të tij për sportin Fidel Yllin, që u bë miliarder pikërisht nga lejet e ndërtimit dhe pallatet e ndërtuar në terrenet sportive të shkollave dhe lagjeve të Tiranës. Gjatë qeverisjes së Bashkisë së Tiranës nga z. Rama terrenet sportive u zhdukën njëra pas tjetrës. Nga 104 që ishin në Tiranë, mbetën vetëm 6 të tilla. Dhe nuk përfundon këtu. Në çdo rast që z. Rama ka pasur për të zgjeruar ambientet sportive për rininë, i ka detyruar deputetët e tij për të votuar kundër. Z. Rama i detyroi deputetet nën hyqmin personal të votonin kundër financimit për zhvillimin e federatave sportive, i detyroi të votonin kundër ndërtimit dhe rikonstruksionit të 20 komplekseve sportive. Sërish Rama i detyroi deputetet të votonin kundër financimit të ambienteve atletike, fushave sportive dhe ndërtesave sportive”, vijon deklarata e PD.
“Ne kemi themeluar kampionate të reja sportive, kemi ndërtuar 20 komplekse sportive të rinj dhe kemi përmirësuar dukshëm palestrat, fushat e sportit dhe shërbimet sportive. Dhe në kuadrin e planit kombëtar për zhvillimin e Sportit, që e kemi hartuar se bashku me akademikët, specialistët dhe sportistët më të mirë, do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë që çdo i ri të ushtrojë veprimtari sportive, të përfitojë nga efektet pozitive të sportit në shëndetin dhe mendjen e rinisë. Partia Demokratike do mbështesë elitën sportive të vendit për rezultate sa më të larta në BE, Shqipëri, Europë dhe botë!”, përfundon deklarata e PD-së.