E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS kërcënon se do të mbyllë universitetet rajonale duke goditur rëndë punën”

24-04-2013 / Gazeta 55

Reagon MASH pas akuzave të deputetes së PS, Ledi Shamku-Shkreli


Ministria  e Arsimit reagoi fort pas akuzave të lëshuar nga deputetja e PS Ledi Shmaku-Shkreli për universitetet dhe shkollat në vend. “PS vazhdoi të sulmojë, të nxijë deri të mohojë sistemin e arsimit të lartë në vend. Zhvillimi i arsimit të lartë dhe liberalizimi i tij i ka dhënë sot çdo të reje dhe të riu mundësinë që të realizojë ëndrrën për studime universitare. PS, e fyen, e përbuz dhe e nxin këtë ëndërr. Sot shkollimi rrit shanset e të rinjve për punësim dhe punë më të kualifikuar dhe vetëm kreu i PS mendon se ky shkollim të çon në papunësi. PS vazhdon të kërcënojë të rinjtë shqiptarë se diplomat janë të pavlefshme”, deklaroi Edlira Late, drejtore e Përgjithshme e Arsimit të Lartë në MASH. Sipas saj, në deklaratën e PS, kërcënon se do të mbyllë universitetet rajonale duke goditur rëndë punën, përpjekjet, investimin në dekada në dobi të zhvillimit ekonomik të rajoneve. “Sot universitetet publike rajonale në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, mbulojnë rreth 50 për qind të studentëve të Universiteteve Publike të Shqipërisë. Ata janë reformuar për t’u shërbyer nevojave të zhvillimit të rajoneve, duke ju ofruar shërbim arsimor, të rinjve e të rejave në rajon dhe më gjerë. Profesorati i këtyre universiteteve është i kualifikuar në universitetet me te mira, brenda dhe jashtë vendit”, theksoi ajo. Ndër të tjera, drejtoresha e përgjithshme e Arsimit të Lartë në MASH Edlira Late, vuri në dukje se, me deklaratën e sotme  selia mavi goditi drejtpërdrejt  punën dhe përkushtimin e pedagogëve të universiteteve. “Mashtrimi i fundit ishte ai për mosrritjen e pagave të pedagogëve, kur fakti është se pagat e pedagogëve janë rritur nga 25-69 për qind, krahasuar me vitin 2005. PS, shpifi duke thënë se reforma financiare në arsimin e lartë është miratuar me një VKM. Ndërkohë që nuk ka asnjë vendim qeverie për këtë reformë financiare”. Në fund të deklaratës për mediat, MASH nënvizoi se “nihilizmi patologjik i PS dhe motoja e saj ‘shpif shpif se diçka do mbetet’, nuk mund të ndalë reformën në arsimin e larte, për një arsim cilësor që i afrohet gjithnjë e me shume standardeve të vendeve europiane”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›