Prandeli beson triumfin
Çezare Prandeli ka shumë besim tek Italia e tij aq sa thotë se fitorja ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të Europianit ishte thjesht fillimi. “Tani vjen ndeshja më e rëndësishme e kampionatit dhe ëndrra sapo ka nisur, - theksoi ai për mediat, - do t’i gjejmë energjitë e duhura. Edhe Spanja është e lodhur dhe të dielën do ta nisim ndeshjen të barabartë”.
Më tej, Prandeli kërkon më shumë saktësi nga skuadra e tij. “Mund të kishim shënuar golin e tretë në disa raste dhe po të kishim qenë 3-0 nuk do të kishim vuajtur kaq, - thotë ai, - jam i sigurt se po të kishte shkuar ndeshja me shtesë në përfundim do të kishim humbur 5-2. i tillë është futbolli. Do të na ikte nga duart një fitore e merituar, në një ndeshje të dominuar nga ne”.
Për Spanjën, trajneri italian ka mendim sipëror. “Spanja do të jetë favorite sepse është brilante, - thotë ai, - por, do të varet nga kondicioni fizik. Më vjen mirë që luajtëm siç duhet me Gjermaninë për 3 të katërtat e ndeshjes. Kasano dhe Baloteli ishin shumë të mirë”. Ish-trajneri i Fiorentinës mendon se Italia e tij është rritur në krahasim me ndeshjen e parë ndaj spanjollëve në grup. Edhe pse italianët do të kenë më pak kohë në dispozicion, sërish drejtuesi i saj beson se do të jetë gati.
Ndërsa e pyetën nëse kjo ishte ndeshja më e mirë e Balotelit në karrierë, Prandeli u përgjigj duke thënë “Baloteli sapo e ka nisur karrierën”.
Kapiteni i të kaltërve, Xhixhi Bufon kërkon që të mos përsëritet më fundi i ndeshjes ndaj Gjermanisë, ku për pak u rrezikua fitorja. “Gabuam rëndë, - u shpreh ai, - nuk mund ta lejonim një rrezik të tillë, ndaj u nervozova shumë. Nëse gjermanët do të kishin barazuar, në pjesën e dytë do të na shkatërronin, do të humbisnim 9-2”.
Ndoshta e tepron, veçse edhe Prandeli deklaroi po kështu. Ai parashikoi një humbje 5-2 nëse ndeshja do të kishte shkuar në shtesë.