E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perse humbi Gjermania

Kur Gjermania Perëndimore doli kampione e botës më 1954, përkundër të gjitha parashikimeve, në krye të saj ishte kapiteni Fric Valter. 34 vjeç. 
Më 1974, RFGJ-ja kishte personalitetet e mëdha Bekenbauer, Maier, Overat, Necer dhe Gerd Myler. Së fundi, më 1990, Gjermania Perëndimore kishte sërish kapitenë si Mateus, Brehme, Buhvald, Litbarski apo Rudi Fëler.
Të gjithë këta, ishin tek të 30-at kur arritën të sundonin botën, qoftë më 1974, qoftë më 1990.
Titujt e mëdhenj nuk mund të fitohen pa pasur shumë personalitet dhe shumë përvojë, sidomos kur nuk ke supertalente si Diego Maradona i Argjentinës më 1986.
Kjo Gjermani e trajnerit Joakim Lëv ka një kapiten që quhet Filip Lahm, një lojtar shembullor, tepër i edukuar, korrekt dhe i talentuar, por jo një lider i fortë si Mateus apo Oliver Kahn. Po kështu mund të flasim për Bastian Shvajnshtajgerin.
Kapiteni lind, nuk bëhet. Tek Bajerni i Mynihut, njeriu që tërheq skuadrën para është Frank Riberi dhe kjo u pa qartë ndaj Realit dhe Çelsit kur francezi u detyrua të linte fushën e lojës. Përveç kësaj, Gjermania sot nuk ka përvojën e mjaftueshme.
Në mbrojtje, ndaj Italisë ishin 3 lojtarë nga 23 vjeç: Humels, Badshtyber, Boateng, kurse në mesfushë Ozil është 23 vjeç, Kedira 25, Kros 22, Myler 22, Rojs 23 dhe Gëce e Shyrrle nëse do të luanin, përkatësisht 20 e 21. Bender është 23 vjeç.
Tek Italia e Prandelit ishin të paktën 3 kapitenë në fushë dhe këta quhen Bufon, Pirlo dhe De Rosi. Sidomos Bufon dhe De Rosi janë lojtarë me personalitet të madh dhe të tillë kanë qenë që 18 vjeç. Përveç kësaj, ata janë shumë të talentuar si dhe me përvojë.
Për Bufonin vlejnë më shumë 119 ndeshje në kombëtare sesa 121 ndeshjet për Miroslav Klosen. Po ashtu, vlejnë më shumë 88 ndeshje për Pirlon dhe 77 për De Rosin sesa 101 takime tek Gjermania për Lukas Podolskin dhe 95 për Shvajnin.
Natyrisht, kur analizon fitoren 2-1 të Italisë ndaj Gjermanisë në gjysmëfinalet e Euro 2012-ës nuk mund të mos theksosh edhe traditën, me bilancin tepër pozitiv italian dhe ecurinë e shkëlqyer të të kaltërve ndaj gjermanëve në turnetë e mëdhenj.
Gjermania ishte e mrekullueshme në Europian. Ajo fitoi 10 nga 10 ndeshjet eleminatore, fitoi 3 ndeshjet e grupit, fitoi edhe çerekfinalen ndaj Greqisë. Në 15 takime gjithsej, fitoi 14 dhe pësoi vetëm një humbje, por ishte pikërisht kjo humbje që e eleminoi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›