E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hague: Rusia dhe Kina të pajtohen për Sirinë

Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, tha se progresi në takimin në Gjenevë për krizën në Siri do të jetë “shumë i vështirë”.

Duke folur para gazetarëve në Gjenevë, ai kërkoi nga Rusia dhe Kina që të pajtohen me fuqitë perëndimore, për planin e tranzicionit politik në Siri.

Hague tha se fuqitë perëndimore dëshirojnë që presidenti Bashar al-Assad të largohet, si pjesë e marrëveshjes për procesin e tranzicionit politik në Siri.

Por, Rusia, aleati kryesor i presidentit Assad, insiston që çfarëdo plani i tranzicionit nuk duhet t’i imponohet Sirisë nga fuqitë e jashtme.

Në ndërkohë, aktivistët sirianë theksuan se së paku 16 vetë janë vrarë nga dhuna më e re në Siri.Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se vrasjet ishin pasojë e hedhjes së predhave nga ana e forcave qeveritare dhe nga përleshjet e ushtrisë me pjesëtarët kryengritës të Ushtrisë së Lirë Siriane, në bazat e opozitës.

Aktivistët opozitarë në qytetin lindor, Deir al-Zor, në Internet kanë paraqitur fotografi, në të cilat shihet tymi nga blloqet e banimit ndërsa kishin vazhduar eksplodimet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›