E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Avatar” pirat po por jo në kinema

Njëri prej filmave më të përfolur ditëve të fundit “Avatar” tashmë po shkel në çdo cep të botës.

Me një shpenzim prej 280 milionë dollarësh, duke mos përshirë fushatën e marketingut global, e cila po ashtu i ka ngrënë edhe dhjeta miliona dollarë, filmi “Avatar”, i prodhuar nga dora e regjisorit të njohur James Cameron, konsiderohet deri sot filmi më i shtrenjtë në historinë e filmit.

Ky film tashmë ka filluar të shfaqet në kinematë rreth e rreth Prishtinës.

Kështu në Tiranë dhe në Shkup, interesimi për ta parë këtë film është tejet i madh. Ndërsa si pothuajse gjithmonë edhe kësaj here Prishtina mbetet ndoshta vagoni i fundit sa i përket prurjeve të filmave të rinj.

Nga Kinemaja “ABC” nuk specifikohet se kur “Avatar” pritet të ndalet në këtë kinema për shkak se kjo kinema shumë më herët paska planifikuar fundin e vitit 2009.

“Ky film besojmë do të jetë projekt për vitin 2010, ngase fundviti 2009 ishte planifikuar shumë kohë më parë për kinemanë ABC, dhe e tërë koha në dy muajt e fundit ka qenë me javë dhe festivale tashmë tradicionale”, thotë Miradije Vllahiu, menaxhere.

Sipas Vllahiut nuk ka problem tjetër pse ky film nuk është në Prishtinë në kohën kur po shfaqet edhe në qendrat tjera të Evropës dhe Ballkanit. Ndërsa më të shpejt se Kino ABC janë Cd shitësit. Me një kualitet jo shumë të mirë por ende fascionues me atë që ka bërë Cameron, ky film mund të blihet shumë lirë.

Për ata të cilët nuk mund të presin kjo mbetet zgjidhja e vetme derisa Kino “ABC” të sjellë atë në Prishtinë. Ndërsa Vllahiu në anën tjetër ankohet se dëmet janë të mëdha. “Mosfunksionimi i dy ligjeve bazë, siç janë Ligji për kinematografi dhe Ligji për të drejtat e autorit, ligje këto që edhe pas rreth 5 vitesh nuk aplikohen, e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë kinemanë”, tha Vllahiu për Express.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›