E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aventura e Zogut nga Stambolli në Mat e më pas në Vlorë

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (1)

Dossieri që po fillojmë të botojmë sot është një prej punimeve më të mira për figurën e Mbretit Zog I. Autori i këtij punimi

z.Terenc Toçi, është një dëshmitar i rrallë i jetës së Zogut, pasi ai ka punuar në një zyrë me të për shumë vite me radhë,

duke qenë sekretar i tij në kryeministri, më vonë edhe në presidencë. Në këtë dossier jepen disa momente të jetës së Zogut,

duke ia filluar që me fëmijërinë, shkollimin, futjen në politikë, sundimin dhe karakterin e tij si shtetar. Të gjitha këto

nën penën e shkëlqyer të një maestroje si z.Terenc Toçi, i cili megjithëse nuk ka qenë ndër zogistët intransigjentë, ia njeh

meritat Mbretit të Shqiptarëve, të cilit ia blaton këtë libër si shenjë respekti. Për këtë vepër "Il re degli albanesi"

(Mbreti i shqiptarëve) të botuar në italisht në mesin e vitit 1938 nga "A. Mondadori, Milano", kemi dëgjuar dy opinione

profesionistësh. I pari prej z.Aurel Plasarit, i cili ka thënë se libri i Terenc Toçit është libri më pozitiv që është

shkruar për Zogun. Ndërsa mendimi tjetër është prej z.Hysamedin Feraj, i cili ka thënë se Terenc Toçi ka shpjeguar monarkinë

shqiptare me argumentin se shqiptarët kanë nevojë të brendshme për këtë sistem.

Në këtë numër dossieri ne kemi paraqitur edhe parathënien e botimit italisht të shkruar prej Françesko Jakomoni di San

Savino-s, i cili duhet pranuar se ka qenë një ndër personalitetet politike e kulturore të kohës, pavarësisht drejtimit që

mori gjeopolitika e asaj kohe. Në numrin e ardhshëm do të paraqesim edhe një material biografik të z.Terenc Toçi. Pjesa e

parë e këtij libri është përkthyer prej z.Beqir Ajazi ndërsa më pas nga kapitulli IV e deri në fund, është përkthyer prej

meje (Neritan Kolgjini).

Pjesa e sotme e dossierit përmban fëmijërinë, shkollimin, dhe futjen e djaloshit Ahmet Zogu në xhunglën e politikës.

N.K.

Parathënie e botimit origjinal në italisht

Nga Francesco Jacomoni Di San Savino

Libri i z.Terenc Toçi që po del sot në dritë me veshje italiane, është një vepër interesante për të gjithë e jo vetëm për ata

që janë të familjarizuar me popullin shqiptar. Së këtejmi del që nëse populli shqiptar është sot i unifikuar, i gjallëruar

dhe i vënë në rrugën e progresit, për këtë i përket merita posaçërisht Mbretit të tij të ri.

Jeta e Zogut I-rë ka qenë dhe ndofta është është akoma e tillë që me të do mund të përpilohej një roman i vërtetë. Po autori

i cili ka qenë dhe është akoma një nga personalitetet kryesore të qeverisë në Tiranë nuk e ka lënë veten që të tërhiqej nga

zakoni i rëndomtë historik dhe letrar bashkohor. Prandaj libri në fjalë është njëherësh edhe një dokument, të cilin

kultivuesi i historisë nuk do mund ta injorojë.

Dhe s'duhet të injorohet kursesi ky libër, nga gjithë ata që duan të mësojnë se në sajë të çfarë pune këmbëngulëse, një

popull i cili jo vetëm ruajti gjenezën e tij iliriane, por kreu edhe mrekullinë e madhe të ruajtjes së gjuhës së vet, të

traditës, të dokeve dhe zakoneve të tij. Dhe që nga mugëtirat që e kishin kapërthyer ka mundur të dalin në dritë; dhe ky nuk

do të mund të qitet në harresë, sidomos nga italianët për shkak se Njeriu, jeta e të cilit përshkruhet këtu, po e drejton

popullin e vete drejt qytetërimit dhe traditës së Romës.

04 prill 1938 (XVI)

I.

Fëmijëria

Ndokuj, madje shumë njerëzve, u duket si e detyrueshme që biografi i të mëdhenjve të tregojë diçka të magjishme për njerëzit

që ngrihen me shkëlqim të lartë, sidomos siç është ai i fronit. Mirëpo nga ana ime as që kam fare nevojë të përdor të tilla

mjete joshës dhe as që u nënshtrohem këtyre detyrimeve.

Ahmet Zogu qysh në fëmijërinë e tij të hershme ka qenë ushqyer me legjenda heroike e kombëtare, familjare dhe lokale.

Me një zgjuarsi të mprehtë, me një temperament ku shkrihen e amalgamohen cilësi të tilla si vrulli i rrëmbyeshëm dhe

gjakftohtësia. Ai që fare fëmijë, u frymëzua nga legjendat si dhe nga historia.

Zogu i Madh, njëri nga stërgjyshërit më të famshëm e të shkëlqyer, themelues i familjes, i kishte pasë ngulur këmbët posi

zogu i shkabës në malet e Matit duke e sunduar dhe madje duke mësuar që të sundonte 300 e ca vjet më parë, përmjet bëmash të

atilla që nganjëherë vendosin për fatin e një njeriu ose të ardhmen e një familjeje të tërë, në rast se nuk hapin horizonte

të reja për një popull të tërë, siç mund të ndodhë sipas rastit.

Këngë të shumta popullore epike që janë trashëguar brez pas brezi tregojnë se Zogu i Madh zbriti nga një familje prej

Shkodre, në Mat. Me këtë rast ky u njoft me dëshpërimin e madh të kësaj popullate. Guvernatori i Matit, njëfarë Gazi Bej,

qejfli i madh dhe i ndezur grash, kishte dhënë urdhër që vajzat e familjeve më të mira të vendit të vinin e të merrnin pjesë

në një ballo me... trupin lakuriq...

Nuk është e vështirë të kuptohet se ç'kuptim kishte kjo gjë: poshtërim e përdhosje e dokeve dhe e zakoneve tona shekullore që

e kishin konservuar me rreptësi konceptin e pafajësisë së vajzave; natyrisht kjo përbënte një rrezik të madh për ato vajza që

mund t'i pëlqenin satrapit. Me këtë rast Zogu i Madh kishte ndezuar dhe drejtuar kryengritjen, duke kryer bëma të tilla që i

ngjanin kryengritjes "Vesprat Siciliane" (Vespri siciliani) të tre shekujve më parë. Që atëherë Familja e sovranit aktual e

ka sunduar me pushtet absolut tërë krahinën e Matit, duke e shtuar influencën e saj edhe ndër krahinat rreth e rrotull dhe

duke krijuar në favor të saj një bujë të madhe në tërë Shqipërinë.

Porta e Lartë kishte pasur mbi krahinën e Matit vetëm një sundim sa për emër dhe ruante për vete detyrimin që krahina t'i

shkonte në ndihmë asaj në rast lufte kur këtë ndihmë e kërkonin interesat e integritetit të Perandorisë.

Dhe s'do mend se që të dyja palët kishin në përpilimin e kësaj marrëveshjeje interesat e tyre të ndërsjellta.

Fëmijëria e Mbretit të ardhshëm, sido që të thonë biografët, të nxitur nga një frymë urrejtjeje apo nga një frymë adhurimi të

devotshëm, - s'është gjë tjetër veçse ajo e një çunaku të zgjuar, që s'e zinte vendi në vend, që kishte prirje të theksuar

për artin ushtarak si dhe për të komanduar.

Ndërmjet shokëve që e rrethonin në shtëpinë e të parëve të vet e që natyrisht ishin bijtë e më të shquarve e më besnikëve, ai

shkëlqente; por jo sepse imponohej për shkak të së drejtës së pakontestueshme dhe supremacisë së familjes, por për shkak të

superioritetit të shpirtit të tij.

Dihet se fëmijët nuk pranojnë diferenca politike apo sociale dhe simbolizojnë disi elementët e formimit të një shoqërie që

kërkon të përparojë duke iu nënshtruar më të fortit.

Dhe më i forti ishte Zogu çunak, por vetëm për shkak të cilësive të tij si sundimtar (dominatore), e jo sepse ishte djali i

Xhemal Pashës apo sepse ishte pasardhës i Zogut të Madh e të një serie të gjatë burrash trima, politikanësh apo ushtarakësh

me emër të madh.

Kështu ai grumbullonte shokët e tij moshatarë dhe formonte me ta kompani ushtarësh të vegjël, me të cilët ai shtiresh se po

bënte "luftë" ku dhe nëse nuk kishte vdekur, të dëmtuarit nuk mungonin kurrë në këto lojëra. Tërë këto manevra fëminore

sillnin mbi kokë e tij një varg të madh qortimesh nga ana e familjes.

Dhe kur, më në fund, ia doli në krye të kishte një pushkë të vërtetë në dorë, Ai ia hyri punëve të trimërisë, gjuetirave të

gjata që e rraskapitnin dhe herë herë e rrezikonin, maleve dhe shkrepave. Dhe tërë këto nuk ia ndanin kurrë shqetësimet

Nënëmadhes, e cila bënte kujdes të madh që të mos pësonte gjë biri i saj i njomë, pasi vetëm kjo ishte përgjegjëse për

edukimin dhe të ardhmen e tij, nxitëse dhe disiplinuese e instinkteve të Sovranit të ardhshëm; por po ashtu edhe zbutëse e

frenuese e ndërmarrjeve të tija të vrullshme.

Për t'ia frenuar këto hove të trillshme, masa më radikale që u mor ka qenë dërgimi i tij në Stamboll, në kolegjin perandorak,

ku qëndroi nga 1908 deri më 1912.

Por në qoftë se në Institutin e Gallatasarajit, Ai dha prova të një shkathtësie të ndezur, përsa i përkiste disiplinës, nuk

mori përgëzime apo simpatinë e pedagogëve. Kishte gjithmonë të gatshme nga një vërejtje të re që nganjëherë i çorodiste fare

mësuesit, të cilët padyshim ishin të papërgatitur për të pranuar koncepte të përparuar të pedagogjisë; dhe për këtë shkak ai

nuk u nënshtrohej urdhrave apo detyrimeve.

Në vitin 1923 kur Ai ishte kryeministër dhe ministër i punëve të brendshme dhe unë Drejtor i Zyrës së Shtypit, bashkëpunoja

me të kaq përzemërsisht sa që kisha tërhequr protesta personale nga kolegët e kabinetit. Ai më ka treguar "çapkënllëqet" e

tij të ndryshme. Ia vlen që të tregojmë të paktën një prej tyre.

I kishte qenë akorduar nga Sulltani një dekoratë e lartë - Osmanija - rast të cilin ai e kishte përdorur vetëm për të ndezur

xhelozinë e shokëve si dhe për të vënë në lojë admirimin tërë frikë të eprorëve të vet, të cilët kishin mbetur të

skandalizuar më vonë, kur kishin parë që ai të bënte shaka pa kurrfarë respekti me dekoratën turke, sikur ajo të ishte një

lodër e pavlerë kalamajsh. Po Ai, - në brendinë e të cilit dallohej që atëherë vetëdija e sigurisë - njërit prej kujdestarëve

që e ruanin dhe që njëherit ia kërkonte dekoratën për t'ia ruajtur, ai i kishte bërë këtë deklaratë profetike: "me këtë ose

pa këtë, unë do mbetem po ai që jam."

Ahmet Zogu ka lindur në Burgajet (Mat) më 8 tetor 1895. Eshtë bir i Xhemal Pashë Zogut, Princi faktik i Matit dhe nga Sadie

Toptani, një grua me cilësi të larta politike dhe familjare, pasardhëse e njërës prej familjeve më antike dhe më të forta të

Shqipërisë qendrore.

II.

Fluturimet e para të zogut të shkabës

Ndërsa nën peshën e shqetësimeve të rënda e të shumta po mundohem të përpiloj me kujdes këto fakte nuk e kam të lehtë që të

gjej ndërmjet librash dhe shënimesh emrin e atij shkrimtari që thotë se "populli shqiptar është një popull memec". Mjerisht

duhet thënë se kjo është një e vërtetë e pandryshueshme për tërë ata punonjës të kulturës dhe historisë. Përpara historisë ne

kemi përgjegjësinë e ngjarjeve për të cilat nuk kemi kurrfarë faji. Pikërisht për këtë arsye ndodh që gjurmët e kontributit

që i kemi dhënë historisë së qytetërimit botëror pothuajse janë zhdukur. Ndaj zatetur nga fakti i pandryshueshëm ne e kemi

humbur atë qytetërim që e dëshmojnë monumentet e pashlyeshëm si dhe letërsia popullore dhe kombëtare, e cila është akoma e

gjallë, edhe pse e panjohur.

Struktura gjeografike, - male të larta edhe dete, - na kanë izoluar; mangësia e numrave në konfliktin me ambiciet e një

shpirti plot aventura na shtyjnë të lëmë pas dore gjuhën tonë me qëllim që të mësojmë gjuhëra më të përhapura duke na bërë që

ta harrojmë origjinën tonë. Vetëm një pjesë e kombit tonë ka mundur të shpëtojë, sepse ajo ia ka arritur të ngrihet si një

shkëmb graniti në mes të vorbullit të masës njerëzore.

Le t'i përmendim këto fakte:

Shpallja e Luftës Ballkanike më 8.10. 1912.

Pothuajse tërë bota e përshëndetei me entuziazëm shpalljen e kësaj lufte e cila paraqitej si një deklarim ndeshjeje në mes të

të drejtave të qytetërimit kundër "barbarisë otomane". Por në mes të gjithë këtyre shumë të pakët qenë ata që paten qetësinë

shpirtërore dhe sinqeritetin për të thënë haptazi se qytetërimi ballkanik i asaj kohe nuk kishte ndonjë ndryshim kushedi se

çfarë nga ai otoman dhe se kryesisht aty nuk ishte fjala për gjë tjetër, por veçse për të zhvatur Shqipërinë.

Në këtë mes po kujtohet një anekdotë e kral Nikollës;

Sovrani i Malit të Zi, burrë me një barrë mend, gabimi i vetëm i të cilit ka qenë ai që kishte lindur në një vend të vogël e

të varfër. Ky duke bërë një ditë muhabet, me atë dashamirësinë e zakonshme, dhe me atë sensin demokratik që e bënte atë të

adhurohej nga malazezët, kishte dëgjuar njërin prej tyre të thoshte me djallëzi: - në qoftë se unë që jam një fshatar,

gënjej, herët a vonë do të përfundoj në burg për mashtrim, por në qoftë se gënjen ti... bota do të thonë se ti ke bërë

politikë duke folur në atë mënyrë.

Në këtë rast madhëria e tij Mbreti Nikolla ia kishte rrahur krahët malazezit dhe duke i buzëqeshur, i kishte falur disa

korona.

Në një atmosferë të tillë pra, plasi, u zhvillua lufta dhe u shkrua historia e Luftës Ballkanike, e cila nuk e ka gjetur

historianin e vet që ta shkruajë këtë luftë në emër të popullit 'memec' - qoftë të paktën për hir të së vërtetës së thjeshtë,

e jo për ta turbulluar këtë paqe të botës që ne shqiptarët e duam për më para se të gjithë.

Po kjo atmosferë e tillë nuk e kishte gjetur të papregatitur djaloshin Ahmet Zogu. Ndonëse akoma s'i kishte mbushur të

shtatëmbëdhjetat ai e kishte kuptuar mirë se misioni i tij nuk ishte që të mbronte qytetërimin ballkanik apo "barbarinë

aziatike" të turqve, po ishte që të shpëtonte atdheun e vet nga lakmitë e të huajve.

Në fakt ai nxiti një orvatje të oficerëve turq që kishin ardhur në Mat për të rekrutuar vullnetarë në mbrojtje të Perandorisë

dhe - nën pretekstin që të ruante Shqipërinë, ai e kishte kandisur me kujdes prefektin e Dibrës që t'i dërgonte pushkë dhe

municion.

Kështu Ahmet Zogu armatosi dymijë njerëz të zgjedhur ndërmjet më besnikëve të tij dhe të dalluar për trimëri; këta ia lëshoi

të tërë kundër armikut.

Në malet e Kakarriqit në jug të Shkodrës ai u ndesh me trupat malazeze, me ç'rast u ndez një luftim i gjatë dhe i

përgjakshëm, i cili përballohej me afsh nga të dyja palët. Udhëheqësi i ri gjithmonë në vijë të parë ngjalli entuziazmin e

besnikëve duke dhënë njëherit prova të mëdha trimërie ndaj kundërshtarëve që ishin njësoj trima.

Ruhet akoma në shenjë relike familjare xhoka e tij e shpuar nga një plumb mu në lartësinë e zemrës. Dhe kjo ishte një prej

atyre xhokave të zeza që kanë veshur shqiptarët që nga viti 1467 në shenjë zie për vdekjen e paraprijësit të tij Gjergj

Kastrioti Skënderbeu.

Mjerisht në këtë kohë ai qe detyruar të tërhiqej nga lufta: një korrier nga ana e Nënës plot kujdesje e njoftonte atë se

Matit po i kanosej një rrezik i madh, për shkak se ky ishte çerdhja e zogut të shkabës. Ai u shkëput atëherë nga armiku me

shkathtësi të madhe dhe me një vrapim tepër të sforcuar u kthye në Principatën e vet.

Atje me atë mprehtësinë e tij të madhe prej udhëheqësi masash dhe njëherit prej ushtari, ai e mblodhi parinë e vendit dhe u

mbajti këtë ligjëratë: "Perandoria turke po shpartallohet madje nuk ekziston më. Atdheu ynë ka nga njëra anë një vizion të

shkëlqyer të lirisë dhe pavarësisë, por nga ana tjetër ai po kërcënohet nga rreziku i tmerrshëm i copëtimit, kështu që sërish

rrezikohemi që të biem në skllavëri. Por shpresojmë se drejtësia ndërkombëtare nuk do të na braktisë, por ama së pari e mbi

të gjitha ne ua besojmë sigurinë tone armëve tona dhe vullnetit të prerë që, ja të rrojmë, ja të vdesim! Duke marrë parasysh

rëndësinë e gjendjes së tanishme kaq të pasigurt dhe plot rreziqe dhe duke mos harruar se forcat i kemi të shpërndara dhe se

na mungojnë ndërlidhjet ndërmjet krahinave të ndryshme të vendit, nuk na mbetet tjetër gjë për të bërë, vetëmse të ngujohemi

nëpër grykat e maleve tona dhe të prapësojmë me forcë çdo orvatje të armiqve nga cilado anë që të na vijë ajo. Në këtë mënyrë

që nga këto male ne do ta ruajmë me kujdes dhe me fanatizëm pavarësinë e tërë kombit."

Dhe këto fjalë të prera dhe të lidhura me mjeshtëri letrare ruhen akoma në kujtesën e pleqve të krahinës së Matit të cilëve u

kandet akoma shpeshherë që t'i përsërisin me atë të folurën e tyre të thjeshtë e të qartë. Gjithashtu këtyre u kandet dhe që

të kujtojnë se tërë ata burra e kishin dëgjuar me vëmendje dhe askush nuk kishte pipëtitur me përjashtim të njërit nga ata më

të vjetrit. Këtij pasi i qe bërë e përsëritur pyetja nëse kishte kush ndonjë gjë për të shtuar ose për të propozuar, foli e

tha në emër të të gjithëve: "Për këto toka që na ka falur Zoti, për njat gjuhë që na kanë lënë të parët dhe për shenjtërinë e

paprekshmërinë e vatrave tona stërgjyshore, na jemi me ty, për ty, dhe deri në vdekje!"

Dhe me këtë betim me gojë malësorët trima të Matit ndezën zjarre të shumtë majave të maleve dhe grykave të qafave, duke u

treguar kështu të gatshëm për luftë dhe për sakrifica.

Por ndërkaq ngjarjet ndiqnin njëra tjetrën e megjithëse Shqipëria ishte pushtuar nga të gjitha anët, ca shkëndija shprese

nacionale filluan të lindnin nëpër zemrat e patriotëve, të cilët përmes Romës dhe Vienës njoftonin se kancelaritë e mëdha të

Europës, ndonëse në konflikt ndërmjet tyre, tregoheshin të vendosura që të ndërhynin për të rregulluar ndarjen e copave të

Perandorisë Otomane duke vënë në hesap si parim kryesor krijimin e shtetit shqiptar.

Ismail Qemal Vlora, në krye të një grupi patriotësh kishte vajtur në Vlorë dhe atje, më 28 nëntor 1912, kishte ngritur

flamurin kombëtar, duke shpallur lirinë dhe pavarësinë dhe duke formuar një qeveri të përkohshme, duke u bërë thirrje krerëve

dhe parisë së vendit që të bashkoheshin me të.

Kjo thirrje e kishte zënë ngushtë Zogun, sepse në një kohë që ai duhej të drejtonte luftën kundër pushtuesve serbë që pritej

të fillonte nga çasti në çast, as kishte mundësi dhe as donte të mungonte në një ftesë që i bëhej në emër të Atdheut, dhe as

që ishte e lehtë që mund të arrinte në Vlorë pa u ndeshur me mbeturinat e armatës otomane, e cila përgjonte në pozita

mbrojtjeje në krahinën e Beratit.

Po ai gjithmonë i vendosur dhe i qetë i shpërndau dhe më me kujdes forcat e caktuara për mbrojtjen e grykave të Matit, dha

udhëzime të hollësishme me qëllim që të koordinonte edhe kundërsulme të mundshme dhe, me një bërthamë njerëzish të zgjedhur e

besnikë mori rrugën për Vlorë, duke qëndruar fshehur ditën dhe duke ecur vetëm natën.

Brenda pak ditësh, duke kaluar vështirësi të pabesueshme që i vinin qoftë nga ashpërsia e stinës dimërore e qoftë nga rrugë

të këqija të braktisura - disa prej të cilave s'duhej të përshkoheshin për t'iu shmangur trupave otomane - si edhe sepse

duhej të kapërceheshin lumenj të mbushur buzë më buzë, moçale shekullorë, e të tjera, më së fundi Ai arriti nën kryeqytetin e

përkohshëm të Shqipërisë.

Ardhja e djaloshit të ri kryelartë e të sjellshëm, ushtarak e fisnik, i matur në veprime dhe në fjalë, mjaft i pashëm,

shkaktoi një entuziazëm të vërtetë në kështjellën e vogël të nacionalizmit shqiptar.

Plaku Ismail Qemali u tregua dhe u soll ndaj tij me një ngrohtësi atërore kurse më vonë gjeti rastin të thoshte se kishte

zbuluar tek ai djalosh "njeriun e përcaktuar prej fatit". Mbledhjet e mbajtura nga delegatët e ardhur nga të katër anët e

vendit, u përuruan nga Mbreti i ardhshëm me anë të një fjalimi që u ngjethi të tërëve një ndjenjë patriotizmi duke ngjallur

njëherësh një admirim të papërmbajtshëm. Dhe pikërisht ndër këto mbledhje u vunë bazat për një bashkëpunim të sinqertë e

vëllazëror ndërmjet krahinash të ndryshme dhe ku u vu re se ndryshimet fetare nuk e pengonin aspak bashkimin e shqiptarëve.

Vijon në numrin e ardhshëm

Përktheu nga italishtja: Beqir Ajazi

Përgatiti për botim: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›