Shqipëria, vendi me praninë më të lartë të kapitalit të huaj në banka
Shqipëria ka praninë më të madhe të kapitalit të huaj në sistemin e saj bankar në rajon dhe prezencën më të lartë në rajon dhe kjo krahas përparësive që sjell bart edhe rreziqe shumë të mëdha, pasi një pjesë e mirë e parave të depozituara në këtë sistem dalin jashtë vendit. Në anën tjetër, rrezik paraqet edhe kredidhënia në sasi të mëdha prej sistemit bankar, i cili është i dominuar nga kapitale të huaja. Një konferencë e organizuar nga universiteti i Barit për zhvillimet ekonomike në Shqipëri së bashku me universitetin e Tiranës përpos të tjerash ngriti edhe këto shqetësime që kanë të bëjnë me rreziqet e sistemit bankar. Një prej ligjëruesve imponues në këtë takim qe edhe dekani i fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Omer Stringa, i cili duke folur për vërshimin e kapitalit të huaj në sistemin bankar të rajonit, theksoi se Shqipëria ka prezencën më të lartë të këtij kapitali, si dhe një rritje të ndjeshme të kreditimit, veçanërisht në katër vitet e fundit. Në tërësi gjykimet në konferencë shpërfaqën nevojën e një ndjekjeje më nga afër të problemeve bashkëshoqëruese të kreditimit të lartë si rritja e kredive me probleme që duhet të mbikëqyret me më shumë kujdes. Pak ditë më parë Banka e Shqipërisë vendosi të ndalojë dhënien e kredive të degëve të bankave të huaja në Shqipëri përtej një sasie të caktuar të portofolit të tyre. Këtë kufi do ta caktojë Banka e Shqipërisë dhe kjo bëhet në mënyrë që rreziqet që i vijnë sistemit bankar nëpërmjet kredive të mëdha që jepen, të mpaken. Në të vërtetë, prania e kapitalit të huaj në sistemin bankar në vend është një nga zhvillimet e mira ekonomike, por veç kësaj një pjesë shumë e madhe e depozitave të shqiptarëve del jashtë vendit, kryesisht në vendin nga vijnë këto banka. Këto pará përdoren në ato vende në një kohë që mund të përdoreshin këtu, megjithatë asnjë institucion shtetëror nuk ka dhënë ndonjëherë detaje apo shifra të këtij kalimi të parave. Po ashtu, ligjet në vend nuk ndalojnë lëvizjen e kapitaleve. Konferenca e organizuar nga dy universitetet (i Barit dhe i Tiranës), mblodhi studiues shqiptarë dhe italianë, përfaqësues të biznesit shqiptar, si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore të vendit, të cilët parashtruan mendime dhe zhvilluan debate mbi zhvillimin ekonomik të rajonit, me fokus kryesor ekonominë shqiptare, ndonëse është e qartë se këto konferenca nuk kanë asnjë lloj ndikimi në vendimmarrje.