Kina dhe Serbia premtojnë shtimin e bashkëpunimit
Kryeministri kinez, Wen Gjibao, dhe homologu i tij serb, Mirko Cvetkoviç, kanë premtuar që të shtojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik mes dy vendeve. Dy zyrtarët u takuan në kryeqytetin Hangzhou të provincës Zheijang në lindje të Kinës. Zoti Wen falënderoi Serbinë për mbështetjen e saj në çështje që përbëjnë një shqetësim madhor për Kinën, dhe tha se Pekini mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur sovranitetin e saj dhe integritetin territorial. Ai bëri thirrje që më shumë firma kineze të investojnë në ndërtimin e infrastrukturës serbe. Zoti Cvetkoviç siguroi Pekinin se Beogradi respekton politikën e Kinës, duke iu referuar kështu rastit të Tajvanit që vetëqeveriset, por për të cilin Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj. Ai e falënderoi Pekinin për mbështetjen që i ka dhënë Serbisë në rastin e Kosovës.
#