E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aventura e shtatë vajzave për të vazhduar shkollën e mesme

Elbasan Udhëtojnë çdo ditë rreth 40 kilometra mbi motor për t’u arsimuar

Një grup vajzash e djemsh, çdo ditë duhet të udhëtojnë rreth 40 kilometra rrugë rurale për të shkuar në shkollë. Historia vjen nga fshati Topojan i Komunës së Mollasit, rreth 45 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Nga qendra e komunës deri në shkollën e mesme, rruga është tepër e thepisur në ngjitje dhe tepër e vështirë për autoveturat. Rreth 22 të rinj të këtij fshati kanë gjetur si zgjidhje të vetme për të vazhduar shkollën e mesme, atë të udhëtimit me motoçikleta. çdokush që nuk njeh qëllimin e udhëtimit të tyre, mund të mendojë se ky është një hobi i adoleshencës. E vërteta është se pasioni i vetëm i këtyre të rinjve të fshatit më malor të kësaj komune është marrja e dijeve dhe kulturës, në të vetmen shkollë të mesme që ka kjo zonë me 12 fshatra. Dikur, moshatarët e tyre, strehoheshin në një godinë, e përshtatur si konvikt në qendër të kësaj zone, në Mollas, ose tek të afërmit. Futja e mjeteve motorike këto 20 vitet e fundit edhe në zonat fshatare, duket se ka “zgjuar” te të rinjtë mundësinë për rendiment në kohë. Por çudia nuk qëndron vetëm në këtë fakt, por shtatë prej tyre janë vajza, të cilat kanë mësuar të drejtojnë këtë mjet udhëtimi në rrugicat plot gurë të fshatit ku banojnë. Ato u kanë kërkuar vëllezërve emigrantë në Greqi, që t’u bënin dhuratë nga një motoçikletë. Udhëtojnë të vetme mbi motorë për të qenë në oborrin e shkollës sapo bie zilja e orës së parë. Sipas drejtorit të shkollës së mesme, Gëzim Frakulli, “aventura” e këtyre të rinjve, sidomos vajzave, është për t’u vlerësuar. “Ne i vlerësojmë për këtë sakrificë, por dua të theksoj se nxënësit që vijnë nga ky fshat tepër i largët dhe malor janë më cilësorë në mësime sesa këta në qendër të komunës”, ka pohuar drejtuesi i kësaj shkolle me afro 1 mijë nxënës. Kjo e fundit, që vetëm në shkollën e mesme të përgjithshme rreshton sot 800 të rinj dhe të reja, jo më tepër se pesë vjet më parë, nuk numëronte më shumë se 400 nxënës. “Këto vitet e fundit është rritur së tepërmi interesi për shkollën e mesme dhe 60 për qind e tyre vazhdojnë shkollat e larta në vend dhe jashtë”, ka shtuar drejtori Frakulli. Kësisoj, Mollasi në qendër të zonës së Sulovës, duket se i është kthyer traditës së kahershme për masivizimin e arsimit të mesëm. Sidoqoftë, historia e të rinjve, që udhëtojnë çdo ditë nga 40 kilometra, vështirë se do të hiqet nga kujtesa e stafit pedagogjik apo e banorëve të zonës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›