Lufta ndaj kanabisit zhvendoset në Livadhja
Komuna e Livadhjasë është bërë qendra e diskutimit për përsosjen e luftës antidrogë, iniciuar nga Nënprefektura e Sarandës, që ka siguruar edhe bashkëpunimin e strukturave policore. Në këtë tryezë, ku përveç këshilltarëve komunarë merrnin pjesë edhe kryetarët e fshatrave të veçantë, u bisedua për masat që i takon qeverisjes vendore të marrë për parandalimin dhe denoncimin e mbjelljes së bimëve narkotike. Nënprefekti Gjergji Mano u shpreh se, për shkak të rëndësisë që merr lufta kundër bimëve narkotike, nënprefektura ka ngritur shtabin e vet rajonal, pjesë e të cilit janë edhe të zgjedhur vendorë. Por ai tha se ka dalë i nevojshëm zgjerimi i këtij shtabi, edhe se shihet që Livadhjaja është një ndër zonat “e nxehta” të kultivimit dhe tranzitimit të llojeve të drogave nga fshatrat më malorë të saj. Në takim u nënvizua se lufta kundër drogës nuk duhet të jetë vetëm policore, por të ketë edhe kontributin e komuniteteve, pasi mungesa e kësaj pjesëmarrjeje do të thotë dështim. Në takim u tha prerazi se edhe përdoruesit e kullotave duhet të mbajnë përgjegjësi kur nuk raportojnë rastet e kultivimit të bimëve narkotike, përveç faktit që nga drejtuesit e qeverisjes vendore kërkohet të raportojnë në mënyrë të vazhdueshme për vlerësimin e situatës në zonat e tyre. Shefi i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë, major Besim Palamani, foli për anë specifike të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. “Planet operacionale për këtë problem, u shpreh Palamani, janë organizuar në disa faza”. Sipas tij, kjo është faza e sensibilizimit deri te banori i fundit për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, edhe pse Saranda nuk dallon aq për kultivimin, se sa për tranzitimin nga deti dhe nga toka. Por, tha ai, çdo shkujdesje që mund të bëjmë me këtë mendim, reflekton shpejt në daljen e situatës nga dora. Nënkryetari i këshillit të qarkut, Llambi Pandeqi, u shpreh se “i detyrohemi komunitetit që këtë fenomen ta luftojmë që në rrënjë”. Ai tha se kujdes i veçantë duhet bërë me nxënësit. Ndërsa mjeku i zonës, Tajar Lako, tha se, edhe pse gjendemi në një zonë jo shumë të populluar, për shkak të emigrimit masiv, nuk duhet menduar se nuk ka përdorues të drogave apo kultivues të bimëve narkotike.
#